Zhvillohet këtë të premte seanca parlamentare ku diskutohet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Që në nisje deputeti demokrat Asllan Dogjani pati propozimin e tij që votimi të bëhet i fshehtë. Sipas tij, shumë deputetë të mazhorancës duan që të votojnë në fshehtësi pasi kanë frikë të reagojnë në lidhje me këto ndryshime.
“Kërkova dhe bëra një propozim pikërisht për ligjin që ka të bëjë në ndryshimet në Kodin Zgjedhor që votimi në fund të bëhet i fshehur. Nga biseda që kam pasur me deputetë të opozitës dhe kryesisht të mazhorancës, disa prej tyre kanë shprehur frikë dhe pamundësinë për të reaguar në lidhje me këto ndryshime. Pikërisht për këtë kërkojnë që të bëhet votimi i fshehtë që Edi Rama të mos marrë peng deputetët e tij, të mos marrë peng demokracinë dhe të mos marrë peng Shqipërinë. Propozoj që votimi të bëhet i fshehur”, tha Dogjani.
I një mendimi ndryshe ishte deputetja Flutura Açka, që një ditë më parë u largua nga grupi parlamentar i PD-së. Ajo tha se votimi duhet të jetë i hapur në mënyrë që qytetarët të shohin se kush po e shet të drejtën e tyre për një demokraci të pastër.
“Jam kundër propozimit për të qenë votim i mbyllur. Votimi duhet të jetë i hapur që shqiptarët ta dinë, ju nëse doni ta kaloni ligjin, kalojeni. Shqiptarët duhet ta dinë kush po e shet të drejtën e tyre, kush po e shet aspiratën e tyre për një demokraci të pastër. Kështu që mbajeni të hapur për ata që kanë marrë përsipër të bashkojnë votën me ju kundër shqiptarëve”, tha Açka.
Ndërsa deputeti tjetër demokrat, Dashnor Sula, kërkoi ndalimin e seancës deri në pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas tij marrëveshja e sotme është “martesë” mes PS e PD.
“Sot është një ditë jashtëzakonisht e veçantë. Një ditë celebrimi i martesës mes PS dhe PD. Mendoj që nuk ka logjikë dhe moral që në këtë ditë kaq të shenjtë, kaq të rëndësishme të mungojë kabineti qeveritar, të mungojë kryeministri, ë mungojnë deputetët, dëshmitarët e kësaj ceremonie martesore. Prandaj në cilësinë si drejtuese e kësaj seance shumë të rëndësishme, do të kërkoja që të ndërpritej seanca për pak minuta, ndoshta edhe disa orë, të na vinte prezent kryeministri i Republikës së Shqipërisë që është “babai” jonë dhe i gjithë deputetëve dhe të bëjmë një debat serioz se nuk është diskutim i thjeshtë”, tha Sula.
- “Në Borje, aty jeton një plakë treqind vjeçare që rrëfen kronikën dhe kujtesën e të gjitha kohërave…” - 26/12/2024
- Borë dhe shi në verilindje, parashikimi i motit për sot - 26/12/2024
- Mrekullia e Krishtlindjeve ndodh vërtetë/ I moshuari ribashkohet me familjen e tij biologjike, 75 vite pasi u birësua - 26/12/2024