22.5 C
Tirana
29 / 04 / 2025

Dështon për herë të tetë zgjedhja e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit të Kosovës

Për të tetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtë herë nuk mori mbështetjen për postin e kryeparlamentares.

Kësaj radhe, ajo mori 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë – por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.

Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Kandidatja e kësaj partie për postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, në vazhdimet paraprake të seancës konstituive nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme. Ajo ka marrë vetëm 57 vota për apo katër më pak sesa kërkohen që të zgjidhet në këtë post.

Para seancës, Faton Peci nga Partia Guxo – që në zgjedhje garoi në kuadër të listës së LVV-së – tha para nisjes së seancës të martën, se propozimi për kryeparlamentare mbetet i njëjtë edhe në vazhdim të seancës.

Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës tha se nuk ka ndryshuar qëndrimin për Albulena Haxhiun.

“Sa i përket PDK-së, Albulena Haxhiu nuk kalon”, tha ai, duke shtuar se i përket LVV-së që të ndërmarrë nismë që të gjendet një gjuhë e përbashkët që të ecet përpara.

Para nisjes së seancës, Armend Zemaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu tha se në këtë seancë hyjnë me qëndrimin e njëjtë, pra nuk do të votojnë për kandidaten e LVV-së për kryeparlamentare.

Ai tha se LDK-ja nuk e ka mandatin për krijimin e institucioneve të reja dhe kjo detyrë bie mbi përgjegjësinë e LVV-së.

“Kemi një heshtje të [kryeministrit në detyrë, Albin] Kurti dhe si duket i konvenon kjo situatë”, tha Zemaj.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se si duket vazhdimi i së martës do të ketë fatin e njëjtë me shtatë seancat paraprake.

“Nëse ndryshohet kandidati [për kryeparlamentar], sot do të votohet. Por, si duhet do të jemi në situatë të njëjtë”, tha ai për gazetarët para nisjes së seancës.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se vota e tij dhe dy deputetëve të tjerë të partisë, do të jetë e njëjtë, pra abstenim për propozimin e Haxhiut.

Ai tha se i takon LVV-së që të bëjë përpjekje maksimale për të formuar një shumicë parlamentare.

“Shumica parlamentare nënkupton koalicion qeverisës edhe për Kuvend dhe Qeveri, kështu ka ndodhur edhe herën e kaluar”, tha ai.

Nisma, sipas Limajt do të kontribuojë që të evitohen zgjedhjet e reja, “por jo me çdo kusht”.

“Nëse nuk ka zgjidhje, ka zgjidhje tjetër, e ato janë zgjedhjet”, tha ai para nisjes së seancës.

Partitë që legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë kanë thënë më herët se mosvotimi i kryeparlamentarit tregon se partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk i ka votat në Kuvend as për kryeparlamentaren, e as për formimin e ekzekutivit të ri.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar Haxhiun si figurë përçarëse, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të japë votë për çdo emër të propozuar nga LVV-ja.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar që LVV-ja të propozojë një emër tjetër për postin e kryeparlamentarit, një person, që sipas tyre, është figurë unifikuese, në mënyrë që t’i marrë votat e deputetëve të tyre.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.

Hekuran Murati nga LVV-ja në vazhdimin e fundit të seancës konstituive, të mbajtur më 27 prill, deklaroi se partia e tij mund të bëjë kompromis me partitë e tjera vetëm për kandidatët për nënkryetarë – që duhet të votohen pasi të zgjidhet kryeparlamentari – por, jo edhe për kryetarin e Kuvendit.

Vetëm pas votimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve, procesi i legjislaturës së re do të konsiderohej i përmbyllur.

Me konstituimin e Kuvendit do t’i hapej rruga formimit të ekzekutivit të ri.

LVV-ja i ka fituar zgjedhjet me 42 për qind të votave, apo 48 ulëse në Kuvend. Por, edhe për formimin e Qeverisë asaj i duhen të paktën 61 vota të deputetëve.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x