14.5 C
Tirana
18 / 10 / 2025

Darka luksoze dhe festa për qentë e senatorëve, jeta e përditshme e presidentit Trump dhe anëtarëve të Kongresit gjatë mbylljes së qeverisë

Në ditën e 15-të të mbylljes së qeverisë amerikane, politikanët e Uashingtonit duket se nuk janë prekur shumë. Ndërsa dhjetëra mijëra punonjës janë pezulluar ose pushuar nga puna, politikanët po vazhdojnë ngjarjet e tyre shoqërore si zakonisht nga festat me qen deri te darkat luksoze në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas një raporti nga NBC News, të mërkurën, brenda Kapitolit, dhjetëra ndihmës të Kongresit u mblodhën për t’i uruar qenit të senatorit republikan Jim Justice një “ditëlindje të lumtur”. Bulldogu i tij festoi ditëlindjen e tij të gjashtë nën një hark tullumbacesh, duke mbajtur një kapelë rozë dhe të bardhë, ndërsa të ftuarit shijuan ëmbëlsira me fytyrën e qenit.

Në të njëjtën kohë, Donald Trump organizoi një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë për disa nga donatorët më të pasur të Amerikës, duke i falënderuar ata për kontributet e tyre në një sallë të re ballo prej 250 milionë dollarësh. Menuja përfshinte mish viçi Wellington dhe akullore me karamele, pa përmendur mbylljen e qeverisë gjatë fjalimit të tij 37-minutësh.

Kontrasti ishte i theksuar: Ndërsa nëpunësit civilë janë pezulluar nga puna he luftojnë për të mbijetuar pa paga, ata që janë përgjegjës për mbylljen e qeverisë po hanë tortë dhe po festojnë. Senati vazhdon të punojë, me komitete, seanca dëgjimore dhe votime, ndërsa jeta jashtë politikës është ndalur, muzetë, parqet dhe zyrat federale mbeten të mbyllura.

Senatorja Lisa Murkowski e Alaskës pranoi se “gjithçka duket njësoj, por nuk është, shumica e tyre nuk po paguhen”. Demokratët dhe republikanët nuk kanë arritur një marrëveshje buxhetore që nga 1 tetori, duke çuar në një mbyllje të zgjatur.

Pavarësisht ngërçit, ligjvënësit po punojnë ende, kryesisht duke shkëmbyer akuza nga dhoma e punës dhe duke miratuar projektligje të përsëritura pa mbështetje të mjaftueshme. Senatori republikan Markwayne Mullin i quajti diskutimet joformale “produktive, por të mbaruara”. Ndërsa ata vetë po paguhen ende, shumë nga ndihmësit e tyre dhe punonjësit e Kapitolit kanë mbetur pa të ardhura.

“Burri im është gjithashtu një punonjës federal, kështu që për ne është një emergjencë”, tha një ndihmës i kongresit, duke folur në kushte anonimiteti.

Siç raportohet nga NBC News, kur qeveria të rihapet, punëtorët do të marrin pagat e tyre në mënyrë retroaktive, siç parashikohet nga një ligj i vitit 2019. Kjo, sipas senatorit demokrat Tim Kaine, e bën situatën aktuale “më pak stresuese” për politikanët.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x