Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, ka shpëtuar nga tre tentativa për vrasje brenda vetëm një muaji, me sulmin e fundit që, sipas tij, ishte me çokollatë dhe reçel të helmuar.
Në një intervistë për CNN, Noboa tha se dhuratat përmbanin “koncentrate shumë të larta” të tre kimikateve të ndryshme, gjë që sipas tij ishte pothuajse e pamundur të ndodhte në mënyrë natyrale, përveçse nëse ishin helmuar.
Kjo vjen pas dy përpjekjeve të mëparshme për ta vrarë, ku në njërën rast turma hodhi gurë ndaj makinës së tij, dhe në një tjetër, sipas tij, Molotov dhe raketa të improvizuara u përdorën kundër automjetit të presidentit.
Presidenti, i cili është trashëgimtar i një prej perandorive më të mëdha të bananeve në Ekuador, është futur në shënjestër të grupeve kriminale për shkak të politikave të tij të forta kundër narkotrafikut dhe kriminalitetit, si dhe për vendimet e tij polemike mbi subvencionet e naftës dhe reformën e institucioneve shtetërore.
Ndërkohë, dhuna në Ekuador ka marrë përmasa shqetësuese: vrasjet u rritën me 40% gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025, dhe shpërthime bombash dhe masakra në burgje kanë tronditur vendin, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të përforcuar sigurinë.
Analistët thonë se Noboa ka një qasje autoritare dhe do të vazhdojë politikën e tij të fortë kundër krimit, duke u mbështetur tek imazhi i tij si lider i pamposhtur dhe mesazh publik për sigurinë.
Presidenti Noboa ka gjithashtu planifikuar një referendum për të lejuar praninë e ushtrive të huaja në bazat e Ekuadorit, duke deklaruar se është i bindur që qytetarët mbështesin masat e tij për sigurinë dhe luftën kundër narkotikëve.
“Jam i bindur që njerëzit duan ndryshim real,” tha Noboa.