Ishin të gjithë smirëzinj, amatorë mburravecë dhe që ia bënin me sy vetes. Silleshin sikur të ishin çupka spektakli. Nuk dinin të shkruanin, nuk dinin të hulumtonin faktin e vërtetë dhe asnjërit prej tyre nuk i interesonte e vërteta. Të gjithë kishin një padron politik e në këtë mënyrë bënin karrierë: i emëronin drejtorë gazetash. Nëse nuk arrinin të bëheshin të tillë, bëheshin sindikalistë. Vetëm në Itali harxhohen shuma të mëdha parash për të mbledhur komitete të kota redaksie, të cilat diktojnë ligje, vendosin rregulla dhe orare. Shkurt, profesioni i gazetarit tanimë i ngjan atij të një nëpunësi banke. Asnjëherë një lajm të vërtetë, një informacion të saktë, vetëm të dhëna mbi mitingje të ndryshme, shpjegime plot hollësi të panevojshme. Jo se Orianës i pëlqente aq shumë metoda tradicionale e botës anglo-saksone që bazohej vetëm mbi faktet e jo edhe mbi opinionet. Përkundrazi, ajo ishte bërë pionierja e atij që në Shtetet e Bashkuara e quanin “new journalism”, që e kishte përdorur Tom Volfi dhe ishte themeluar nga Fallaci. Ajo opinionet e saj i shprehte gjithmonë me zë të lartë gjatë gjithë intervistave dhe pak rëndësi kishte nëse më pas plaste ndonjë zënkë apo përplasje diplomatike. Para gjithçkaje duhej të vinin faktet, përndryshe kot të merrje mundimin e të shkruaje ndonjë artikull. Gjuha e përdorur nga gazetat italiane i shkaktonte neveri Orianës. Aty shkruhej vetëm për politikanët, partitë, grupet e interesave politike, por jo për njerëzit e zakonshëm që blejnë gazeta për t’u informuar. Sa herë, e ëma, Toska, e kishte porositur: “Dua që ti të shkruash në atë mënyrë që unë ta kuptoj, në atë mënyrë që një njeri i paditur të të kuptojë.” Në Itali një individ kishte dy rrugëdalje: ose të bëhej shërbëtor i pushtetit, ose të kishte frikë prej tij. Ajo do të kishte qenë një drejtore e përkryer gazete, autoritare, e ndershme, plot me fantazi dhe iniciativë dhe nuk do të kishte mashtruar kurrë askënd, nuk do të kishte abuzuar me pushtetin që do t’i jepej. Por nuk do ta kishte pranuar kurrë një post të tillë, sepse nuk i interesonte fare. Nuk kishte pranuar asnjëherë të rrinte e ngjitur pas një poltroni peshërëndë. Tepër e mërzitshme duhej të ishte po të rrije aty. Nuk do ta kishte shtyrë kurrë kohën, nëse gjithë ditën do t’i duhej të ishte në kontakt me racën shëmtirë të gazetarëve. Po të mendohej më thellë, i vinte për të qeshur. Nëse ndonjëherë do të ishte bërë drejtore, do të ishte sjellë shumë keq, si një diktator; do të kishte ndenjur në atë post vetëm një javë, sepse në krye të pak ditëve, ambulancat do të mbërrinin me sirena të ndezura, ngaqë ndokush do të shkonte urgjentisht në spital. E vërteta ishte se drejtimi i një gazete në Itali nuk ishte më një profesion, por një çështje politike, shpeshherë e ndyrë. E kishte vërtetuar diçka të tillë me vrasjen e lemerishme të Pier Paolo Pazolinit.
(Marrë nga: Maria Xhovana Malie: “ORIANA – Takimet dhe pasionet e një italianeje të madhe”, përkthyer nga Yllka Beshirja)
- Demokraci të helmuar si kërpudhat e zonjës Petterson - 08/07/2025
- “Po ndërton paqe në shumë rajone”, Netanyahu propozon Trumpin për Çmimin Nobel - 08/07/2025
- VIDEO/ Kryeministri Rama dhuron gjak në godinën qeveritare dhe bën apelin: Përveçse jepni kontribut të vyer, ju rinon dhe rigjeneron - 08/07/2025