Qeveritë e Spanjës dhe Portugalisë kanë shpallur gjendje emergjence pas ndërprerjes masive të energjisë elektrike , ndërsa operatorët e rrjetit po përpiqen të rikthejnë furnizimin me energji elektrike në të dy vendet deri në mbrëmje.
Ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, shpalli gjendje emergjence në rajonet Andalusia, Extremadura, Murcia, La Rioja dhe Madrid.
Pas një mbledhjeje të kabinetit gjatë natës, Portugalia shpalli gjendje krize energjetike.
“Kemi mësuar për një ndërprerje të përgjithshme në rrjetin elektrik, e cila ka origjinën jashtë territorit tonë, me shumë gjasa në Spanjë,” tha kryeministri Luis Montenegro në një fjalim televiziv.
Montenegro deklaroi se është krijuar një zyrë qeveritare e krizës për të menaxhuar situatën “të paprecedentë” dhe u bëri thirrje qytetarëve të reduktojnë konsumin e energjisë derisa autoritetet të rikthejnë plotësisht furnizimin me energji.
Ndërkohë sipas kryeministrit spanjoll ndërprerja e energjisë nuk kishte ndodhur asnjëherë në gadishullin iberik.
“Kjo është diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë . Për t’ju dhënë një ide, 15 gigavat janë të barabarta me rreth 60% të kërkesës së vendit në atë moment”. theksoi Sanchez
Spanja do të përpiqet të rikthejë furnizimin me energji elektrike në të gjithë vendin deri të martën në mëngjes, por kryeministri pranoi se zyrtarët ende nuk mund të thonë me siguri kur gjithçka do të kthehet në normalitet.
Dyshohet se kjo nderpreje e energjisë elektrike mund të ketë ndodhur, sipas mediave ndërkombëtare nga një fenomen i rrallë atmosferik, me ndryshimin e temperaturave në Spanjë, që solli dhe probleme me linjat e interkonjeksionit evropian. Pjesa më e madhe e shërbimeve të transportit në Spanjë do të rikthehen vetëm ditën e sotme.