Nga Arta Marku Qëndro
Të fotografosh është pasion;
Të fluturosh është adrenalinë;
Të rrezikosh është joshje;
Të kërkosh të bukurën është nevojë;
T’ua tregosh të tjerëve ngjan si mision…
Alket Islami duket se i ka të gjitha në një.
Qysh herët ëndrrat gjithnjë e paraqitnin duke fluturuar. Nuk po flas për ato ëndrrat e makthshme që i shohin pothuaj të gjithë, po flas për një tjetër ëndërr me sy hapur që e shohin vetëm pak. Asaj iu përkushtua Alketi …
Pastaj nga qielli, tashmë në fluturim e sipër, vuri re se bota ishte shumë e bukur, akoma më e bukur nga sa e shihnin, nga lartësia e syrit, njerëzit që mundeshin vetëm të ecnin. Dhe vendosi ta fotografonte. Nuk është e thjeshtë e ndonjëherë madje, është e rrezikshme. Rreziqe që janë jashtë tij por mund të shkaktohen edhe prej atij vetë. Sepse me dy duar i duhet të menaxhojë mjetin fluturues, aparatin fotografik me lente që peshojnë jo pak apo telekamerën varur në qafë. Por i pëlqen ta bëjë e, teksa në mes është pëlqimi mundësi tjetër nuk duhet të ketë veçse ta marrë në sy rrezikun.
I ka ndodhur edhe të pësojë incidente. Është rrëzuar. Ka rënë nga qielli në tokë. Është lënduar por pastaj është rikuperuar dhe sërish ka fluturuar.
-Duhej të ishit trembur e të mos guxonit sërish të fluturonit, – i them.
-Nuk mund të ndodhte, – më përgjigjet.
Mesa duket çfarë ka vuajtur gjatë periudhës disa mujore të rikuperimit ishte pamundësia për të fluturuar.
Tashmë është bërë mjeshtër. Ndjek me vëmendje çfarë bëjnë zogjtë dhe përpiqet t’i imitojë. Zogjtë e dinë mirë ku janë rrymat që ndihmojnë e ku ato që pengojnë. Zogjtë ngjiten kur duhet e ulen kur duhet. Zogjtë janë udhërrëfyes, ia vlen t’u shkosh pas.
Si mjeshtër i lartësive Alketi e di mirë se çfarë ndodh në ajër. Me gjasë është dikush që më mirë di të fluturojë në ajër sesa të ecë në tokë. Ndryshe nuk do të kish preferuar të ishte…
Nuk di sa është e vërtetë ajo poezia që pata lexuar dikur: Edhe zogjtë bëjnë gabime/ kur fluturojnë për herë të parë./ E të ecësh në tokë është më e vështirë se të fluturosh në ajër…
Ndoshta për Alketin është kështu: në mos më e vështirë të ecësh në tokë, së paku më e lehtë të fluturosh në ajër.
Një herë i kujtohet se ishte mbi grykëderdhjen e Bunës. Vozitësit e kishin thirrur që t’i fotografonte. Së lartmi, fluturaku dallon mjegullën që po afrohet dhe e di mirë ç’do të thotë teksa grumbullohet aq shpejt. Pra, ai e di rrezikun. Por përballë rrezikut qëndron mrekullia. Vështirë të ketë rast të dytë që ta fotografojë këtë mjegull mbi lumë. Kush peshon më shumë, rreziku apo mrekullia? Kujt ia vlen t’ia dëgjosh thirrjen?
Duke qenë mikroklimë mjegulla mbi Bunë është e paparashikueshme, por me gjasë edhe sikur ta kishte parashikuar Alketi do të kishe vendosur të fluturonte pikërisht në kohën e nderjes së saj mbi lumë, në kohën e lëshimit të saj mu mbi vijën e kufirit duke e ndarë Bunën mes për mes, në dy pjesë gjatësore.
Kjo do të thotë se nuk ka dilema për të. Përndryshe nuk do të mund të bëheshin këto foto të jashtëzakonshme. Sigurisht tek është në ajër mund t’i ndodhë të gjendet para dy alternativave: të presë çastin e duhur për të fotografuar apo të zbresë duke i ikur rrezikut. Ai zgjedh gjithnjë rrezikun dhe fotografinë që e lejon ai të bëjë. Gjendet aty një adrenalinë që nuk do të donte të mos e shijonte.
Alketi ka rrezikuar edhe më shumë sesa të gjendurit në mes të një mjegulle mbi një lumë. Për shembull, në Azerbajxhan do të ngjitej në mbi 3000 metra lartësi. Sigurisht ishte me helikopter të cilin e manovronte një pilot profesionist, me një ekip të tërë me vete. Por rreziku nuk zvogëlohet nga një prani e tillë profesionistësh të fluturimit. Rrallimi i ajrit në atë lartësi mund të ndjellë gjumin e ekipazhit. Të pilotit për më tepër. Dera e helikopterit është e hapur dhe Alketit i duhet të nxjerrë gjysmën trupit jashtë, përndryshe çfarë mund të fiksojë në foto. Është i lidhur, po, por nuk është diçka që mund ta bëjë lehtësisht kushdo. Dikush që nuk e ka fotografinë pasion, fluturimin adrenalinë, rrezikun akoma më shumë joshje, të bukurën nevojë, zbulimin e saj mision.
***
Alket Islami njihet tashmë si fotografi nga ajri, si piloti aventurier.
Pamja e tij është e njëjta: veshje komode për fluturuesin; kokën e mbështjellë me shami; syze të errta me formë aerodinamike që kur është brenda i vë mbi kokë. Kostumi është i zi dhe thyhet vetëm nga e kaltra e disa aksesorëve në qafë dhe një unaze të madhe në gisht. Po mendoj se nuk mund të ishin ngjyrë tjetër veçse bojëqielli, përderisa Alketi është i lidhur pazgjidhshmërisht me ajrin që sado i pangjyrë e perceptojmë si të kaltër.
Me të njëjtën pamje mbërriti dhe në studio, se s’ka ndodhur ndonjëherë që Alketi të shfaqet me pamje tjetër. Më tha se kishte planifikuar të nisej për fluturim dhe fotografim gjithashtu dhe do ta bënte sapo të dilte nga studioja.
Do të flisnim për albumin e tij më të ri ALBANIAN COAST FROM THE AIR ku padyshim vendin e nderit e mbajnë imazhet. Por, kësaj here, ndryshe nga albumet e deritanishme fotot qëndrojnë në një ekuilibër të gjetur me fjalët. Janë të Zefina Hasanit bashkëpunimin me të cilën Alketi preferon ta përcaktojë si një zbulim. Se imazhi ka gjuhën e vet, se imazhi flet, përçon mesazhe në mënyrën e vet, por fjala ngjitas me të, shton informacionin dhe emocionin.
ALBANIAN COAST FROM THE AIR është libri i shtatë i Alket Islamit në të cilët kemi parë, gjithnjë nga ajri, Shqipërinë, rivierën e saj, brigjet a Alpet; kemi parë Kosovën dhe Azerbajxhanin… E për çdo libër ka histori e historiza për t’u rrëfyer…