Nga Luan Rama
Sot, në 90-vjetorin e lindjes:
Ma s’pari du me ia uru datëlindjen Agim Gjakovës, i cili sot ia ka mbërri me i mbush nëntëdhjetë vjet jetë.
Nuk është pak.
Gëzuar o Agim Gjakova e të paçim jetëgjatë dhe me shëndet të mirë!
Dhe si sot, festofsh edhe kur ta mbushësh një shekull jetë e ma përtej!
E së dyti, du me i shkru disa konsiderata apo vlerësime përgjithësuese për veprën e tij, bashkëlidhur këtij urimi në këtë 90-vjetor të lindjes, jo për kortezi që në kësi rastesh nuk është e tepërt, por, sepse realisht kam bindjen se Agim Gjakova meriton vëmendje dhe nderim për gjithë sa na ka dhënë si kontribut për letërsinë, por edhe për gjuhën (sepse edhe si kontribut gjuhësor vepra e tij meriton studime të dedikuara), pra në tërësi për kulturën tonë kombëtare.
Në letërsinë shqipe, vepra e Agim Gjakovës është një vargmal i tërë. Aty, poezia, tregimi, romani, por edhe publicistika, eseistika, letërsia për fëmijë, drama e skenarët e filmave artistikë, krijojnë lartësinë e një mozaiku veprash që i dhanë letërsisë tonë jo vetëm një shkrimtar, por një pasuri më shumë e shumë të çmuar, që pa Agim Gjakovën nuk do ta kishte.
Ardhja e Agim Gjakovës në letërsinë shqipe qe e njëkohëshme me ardhjen e Dritëroit e të Kadaresë, me Fatos Arapin dhe Dhori Qirjazin. Pra, ai i përket brezit të modernitetit tonë letrar, brezit që shembi gardhet, që prishi tabutë e kufijtë e vargëzimit apo konceptimit tradicional e arkaik të letërsisë. Ai është ndër ata që i dhanë letërsisë shqipe horizontin e munguar dhe ritmin e bashkëkohësisë me letërsinë që shkruhej edhe në vendet e tjera të botës përrreth nesh.
Por, për dallim prej të tjerëve të brezit të vet, Agim Gjakova është edhe shkrimtari pa kufij. Ai qe e mbetet ndër ne shqiptari i Kosovës në Shqipëri dhe shqiptari i Shqipërisë në Kosovë; jo ura lidhëse, por lumi që rrjedh në shtratin e vet këndej e andej, pa drojë e pa tutë se diku mund t’i ngenë ndonjë pritë.
Kjo veçanti ka qenë esenciale, por, edhe ekzistenciale për krijimtarinë e Agim Gjakovës.
Veçantitë e fatit dhe të jetës së njeriut Agim Gjakova, përcaktuan dhe shenjuan edhe fatin e shkrimtarit Agim Gjakova.
Ndaj vepra e tij është jo vetëm e bollshme në prurje, por edhe e plotë në çfarë shkrimtari ka dashur të thotë e të na japë. Pasuria gjuhësore, etnografike dhe historike, ndërthuren natyrshëm brenda përjetimit të shkrimtarit dhe falë talentit të lindur, i kemi sot në morinë e shumtë të veprave që ka krijuar, dëshmi artistike të një niveli referencial.
Njësoj si Dritëroi që asnjëherë nuk e ndau veten, por as veprën prej Menkulasit dhe Devollit të vet, edhe Agim Gjakova nuk e ndau kurrë veten dhe as veprën prej Gjakovës dhe Kosovës. Madje, kjo e bën atë të jetë shkrimtari i përjetimeve të mëdha dhe i përshkrimeve thelbësisht atdhetare në një krijimtari që kurrë nuk e humbi kohezionin e vet.
Përndryshe prej ndonjë studiuesi, që kur i është dashur të shkruajë për Agim Gjakovën, e përveçon atë për “dykohësinë letrare”, unë jam i mendimit se krijimtaria e Agim Gjakovës është e njëkohëshme. Pra, edhe e njëkaraktershme, e njëfytyrshme.
Kohët nëpër të cilat shtrihet vepra e shkrimtarit, nuk e kanë kushtëzuar karakterin e saj, nuk ia kanë tjetërsuar as nervin dhe as verbin. Edhe pse ka shkruar në dy kohë, gjatë e pas socializmit, Agim Gjakova nuk na ka dhënë dy letërsi. Dhe kjo është padyshim sa meritë e karakterit të tij, aq edhe e aftësisë krijuese për t’i dhënë veprës përmasë universale, edhe kur motivet apo heronjtë frymëzues ishin lokalë, njësoj siç i ka dhenë hapsirë të pakohë edhe kur ka shkruar për ngjarje, personazhe, dukuri apo përjetime të një kohe të caktuar.
Krijimtaria e Agim Gjakovës nuk ka në biografinë e vet pengje apo deformime prej faktorësh jashtëletrar. Sepse ajo nuk ka qenë e realizmit socialist, anipse është shkruar në një pjesë të madhe gjatë kohës së socializmit në Shqipëri.
Koherent dhe qëndrestar, i kthjellët në synimin e vet dhe autentik në gjuhën e përdorur dhe në mjetet shprehëse, Agim Gjakova ka shkruar dhe na ka dhënë letërsi.
- Shqipëria, muze gjigand natyror/ “Liqenet akullnajore të Shqipërisë”, monografia botohet nga Akademia e Shkencave - 15/10/2025
- Gaza: pauzë apo paqe? - 14/10/2025
- Anglia “pret” biletën për në Botëror, Hungaria i mohon kualifikimin Portugalisë. Fitojnë edhe Spanja e Italia. Serbia vuan me Andorrën (Rezultatet) - 14/10/2025