Eliminimi nga faza play-off e Botërorit 2026 la pas shumë lot dhe analizë. Në Varshavë, Shqipëria preku kufijtë e historisë, por u ndal nga detajet.
Jasir Asani, njeriu që ka dhuruar rregullisht emocione me të majtën e tij, këtë herë e ndoqi dramën nga tribunat. Sot, mes stërvitjeve te Partizani dhe ankthit për situatën në Iran ku aktivizohet me Esteghlalin, Asani thyen heshtjen, në këtë intervistë për Top Channel. Për shumëkënd, Shqipëria luajti si e barabartë, por rezultati në tabelë nuk e pasqyroi atë që u dha në fushë. Asani tregon se si u përjetua brenda grupit ai moment ku fati na ktheu shpinën.
“Me thënë të drejtën ka qenë në përgjithësi një rrugëtim i mirë, pasi kemi fituar ndeshje të rëndësishme dhe arritëm deri në play-off, por ndonjëherë futbolli është i padrejtë. Në Poloni ne patëm rastet tona për të bërë golin e dytë por në futboll siç i thonë asaj shprehje, po nuk shënove do e pësosh. Kur je në tribunë e sheh ndryshe, Bajrami bëri çdo gjë shumë mirë, por ndonjëherë nuk shkon topi në portë, nuk ke fat. Ai është i mërzitur shumë, kishte shansin të bënte golin e dytë, por nuk ka qenë e shkruar”, Jasar Asani, futbollist i Kombëtares.