Nga Ledio Alite
Një gjë ështe e sigurt nga kjo luftë e re. Nafta do të bëhet më e shtrenjtë dhe për rrjedhojë çmimet kudo do të rriten sërish.
Kriza e fundit e çmimeve ndodhi jo më larg se viti 2022 për shkak të luftës në Ukrainë dhe para kësaj në vitin 2020 për shkak të luftës me armikun e padukshëm COVID. Asokohe, u krijua ndjeshëm një realitet i ri ekonomik, më i vështirë, më i ndërlikuar.
Çfarë do të thotë kjo për vende me prodhim të vakët si Shqipëria, e cila futet në vendet vulnerabël ndaj ndryshimeve në tregjet botërore?
Një goditje e tretë e këtij lloji ende pa u rikuperuar nga dy luftërat e mëparshme mund të jetë e përmasave brutale për një ekonomi të paqartë si e jona. Nëse dy të parat krijuan një realitet social konfuz për shkak të vështirësisë ekonomike që njerëzit do duhet të përballeshin, kjo goditje e tretë mundet të krijojë një realitet krejtësisht të ri më të kobshëm se ai që deri sot jemi ankuar se është i vështirë.
Si përkthehet kjo nga pikëpamja social-kulturore?
Sigurisht, është e ditur se nevoja për të mbijetuar shkon në përpjestim të drejtë me filozofinë realiste të zhvillimit të jetës, filozofinë ku fiton më i forti dhe ku gjithmonë, qëllimi justifikon mjetin. Në një shoqëri ku tashmë hipokrizia për të mos thënë mashtrimi si mënyrë jetese ka shtrirë rrënjë të thella pikërisht për shkak të vështirësisë ekonomike dhe konfuzionit social, një realitet i tillë global mund të sjellë nje efekt dominimi në dorëzimin ekonomik të qytetarëve nga ato më vulnerabël e deri tek ato më stabël.
Për shkak dhe të problemeve të brendshme politike, mund të rezultojnë dy pasoja përjashtuese të njëra tjetrës:
Mbyllja përfundimtare në këtë realitet të zymtë, ose liria e shprehjes.
Kjo e dyta, do të krijonte një realitet tjetër, më dinamik, më krijues ndaj zgjidhjeve të reja, strukturave të reja, emrave të rinj, grupeve të reja, pa ndikimet e arkaizmave politike të deritashme. Një zgjedhje e pakushtëzuar dhe indiferente nga pasojat që mund të vijnë nga vënia në zbatim e saj.
A është e mundur? Një rezultat i tillë sigurisht nuk mund të bazohet në ndërgjegjjen subjektive të njerëzve, por duke gjykuar nga pikëpamja utilitariste, do të bazohej direkt në nevojën e tyre.
Nevojë, e cila do të vinte si rrjedhojë e shterimit të rrugëve duke krijuar të kuptuarit se në fakt rrethimi i vogël në mendje, është më i rrezikshëm se rrethimi ushtarak apo rraketor.
Natyrshëm, shumica e njerëzve sot pyesin: Edhe sa do durojmë? Përgjigjja është e thjeshtë: Derisa njerëzit vetë të vendosin të qendrojnë në këtë gjendje…
Pra, duke qenë se kjo kohë është sfidë për të gjithë popujt, shqiptarëve si popull i lashtë u takon të bëjnë zgjedhjen e mençur, zgjidhjen humane, dhe ta fitojnë këtë luftë të brendshme në mënyrë që të fitojnë të sigurt edhe luftën e jashtme.