14.5 C
Tirana
26 / 11 / 2025

Champions League: Chelsea turpëron Barcelonën, Leverkusen bën për “aspirina” City-in, Juvja fiton në Norvegji

Mbrëmja e Champions League ka dhuruar spektakël dhe emocione. Chelsea ka marrë një fitore të thellë ndaj Barcelonës, ndërsa Manchester City është ndalur në “Etihad” nga Leverkusen. Në Francë, Marseille ka përmbysur Neëcastle-in pas një dueli të zjarrtë.

Në “Stamford Bridge”, Chelsea ka dhënë një leksion force duke triumfuar 3-0 ndaj Barcelonës. Një aksion i gjatë në zonë solli pasimin e Cucurella-s për Estevao-n, ndërsa Jules Kounde gaboi fatalisht duke e devijuar topin në rrjetën e vet. Situata u përkeqësua për katalanasit në fund të pjesës së parë, kur Ronald Araujo u përjashtua me karton të kuq pas dy të verdhëve të shpejta.

Në minutën e 54-të, Estevao vulosi një nga golat më të bukur të mbrëmjes: mori një pasim të saktë nga Reece James, depërtoi me klasin e tij në mbrojtjen spanjolle dhe e dërgoi topin me qetësi në portë. Chelsea e mbylli ndeshjen me golin e tretë të Liam Delap në minutën e 75-të. Sulmuesi anglez përfitoi nga një aksion i shpejtë mes Pedro Neto-s dhe Enzo Fernandez-it për të vulosur rezultatin.

Juventus ka marrë fitoren e parë në Champions League këtë sezon, duke mposhtur 3-2 Bodø/Glimt dhe duke u ngjitur përkohësisht në zonën playoff. Norvegjezët kaluan të parët në avantazh me Blomberg në pjesën e parë, ndërsa bardhezinjtë vuajtën ritmin e lartë të miqve.

Në pjesën e dytë, me hyrjen e Yildiz loja ndryshoi. Openda shënoi golin e tij të parë me Juventusin dhe McKennie përmbysi rezultatin. Bodø barazoi 2-2 me penalltinë e Fet, por në minutën e 91-të David riktheu bardhezinjtë në avantazh, duke firmosur një fitore të rëndësishme për skuadrën e Spallettit.

Rezultati më i bujshëm i mbrëmjes vjen nga Manchesteri. Bayer Leverkusen ka mposhtur 2-0 kampionët në fuqi. Grimaldo hapi sfidën me një goditje të saktë në pjesën e parë, ndërsa Patrick Schick dyfishoi shifrat me kokë në minutën e 54-të, duke e lënë City-n pa përgjigje.

Në “Velodrome”, Neëcastle nisi mbarë me golin e Harvey Barnes në minutën e 6-të, por Marseille u rikthye në mënyrë spektakolare. Pierre-Emerick Aubameyang u shndërrua në protagonist absolut me dy gola të shpejtë në minutën e 46-të dhe 50-të, duke i dhënë vendasve një fitore mjaft të rëndësishme.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x