Kryeministri Edi Rama, me një video në Facebook, foli sërish për skemën e re të pensioneve.
Kreu i qeverisë u shpreh se deri në fund të vitit 2029 pensionistët do të marrin 1.7 miliardë euro më shumë.
“Pjesën e luanit në projektbuxhetin 2026 e zënë pensionistët, për të cilët e nisim vitin e ardhshëm me 100 milionë euro shtesë përveç indeksimit. Në 2027 e dyfishojmë shtesën 200 milionë euro plus indeksimi 45 milionë euro. Në 2028 trefishojmë 300 milionë euro plus indeksimi 46 milionë euro. Në 2029 e katërfishojmë, 400 milionë euro plus indeksimi 47 milionë euro dhe në 2030 e pesëfishojmë 500 milionë euro plus indeksimi 48 milionë euro. Pra, janë 1,7 miliardë euro më shumë që pensionistët do të marrin mbrapsht nga investimi i tyre për mandatin tonë të katërt qeverisës”, tha Rama.
“Nga 1 janari 2026 do rritet edhe paga minimale për 307 850 punonjës që do marrin 500 euro, që do jetë e para por jo e vetmja rritje e këtij mandati. Paga minimale do arrijë 700 euro. Qeveria do të subvencionojë për 9 muaj, 90 milionë euro edhe shtesën e kostos së sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat. Fiks kështu, ky jam unë dhe këta jemi ne. Ato 83 mandate që ju na dhatë për të qeverisur Shqipërinë në mandatin e katërt dhe për ta ulur në tryezën e BE si të barabartë ndër të barabartë, janë 83 arsye më shumë se sa deri dje për të mos fjetur gjumë, për të punuar pa pushim dhe për t’iu kthyer ju me të gjithë pasionin, vullnetin, të gjithë atë që ju na dhatë, një besim të jashtëzakonshëm që është privilegj i jashtëzakonshëm”, shtoi kryeministri.