SHBA-të kanë njoftuar të mërkurën e 22 tetorit sanksione të reja që synojnë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse, Rosneft dhe Lukoil, në një përpjekje për t’i bërë presion Moskës të negociojë një marrëveshje paqeje në Ukrainë. Presidenti amerikan Donald Trump, e ka shpjeguar këtë vendim, duke thënë se bisedimet me homologun e tij rus Vladimir Putin, nuk po shkojnë askund.
“Sa herë që flas me Vladimirin, kemi biseda të mira, dhe pastaj ato nuk çojnë askund. Thjesht nuk të çojnë askund,” tha presidenti Donald Trump pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të diskutuar negociatat e paqes.
Njoftimi për sanksionet u bë një ditë pasi Trump tha se takimi i planifikuar me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest do të shtyhej për një kohë të pacaktuar.
Më herët atë ditë, Rusia nisi një bombardim intensiv mbi Ukrainën që vrau të paktën shtatë persona, përfshirë fëmijë.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se sanksionet e reja ishin të nevojshme për shkak të “refuzimit të Putinit për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë”. Ai shtoi se këto kompani nafte financojnë “makinerinë e luftës së Kremlinit”.
“Tani është koha për të ndalur vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm,” tha Bessent në një deklaratë, citon BBC.
Duke folur përkrah Rutte-s në Zyrën Ovale të mërkurën, Trump kritikoi Putinin që “nuk është serioz për paqen” dhe tha se shpreson që sanksionet të ndihmojnë në arritjen e një përparimi.
“Thjesht ndjeva se ishte koha e duhur. Kemi pritur gjatë,” tha Trump.
Ai e quajti paketën e sanksioneve “të jashtëzakonshme” dhe shtoi se shpreson që ato të hiqen shpejt nëse Rusia bie dakord të ndalojë luftën.
Rutte e përshëndeti gjithashtu këtë hap, duke thënë se po “ushtrohet më shumë presion” mbi Putinin. “Duhet të vësh presion, dhe pikërisht këtë bëri sot,” tha ai.
Ky veprim vjen ndërsa dallimet midis propozimeve amerikane dhe ruse për paqe janë bërë më të qarta këtë javë. Trump ka treguar se një pikë kyçe mospajtimi është refuzimi i Moskës për të ndaluar luftimet përgjatë vijës aktuale të frontit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-të ende dëshirojnë të zhvillojnë takime me Rusinë.
Dy kompanitë ruse të naftës të sanksionuara eksportojnë 3.1 milionë fuçi naftë në ditë. Rosneft është përgjegjëse për gati gjysmën e gjithë prodhimit rus të naftës, që përbën rreth 6% të prodhimit global.
Nafta dhe gazi janë eksportet më të mëdha të Rusisë, dhe klientët kryesorë të Moskës përfshijnë Kinën, Indinë dhe Turqinë. Trump u ka bërë thirrje edhe këtyre vendeve të ndalojnë blerjet e naftës ruse për t’i bërë presion ekonomik Kremlinit.
- Kryengritja e armatosur e 14 shtatorit, ish-kreu i SHISH: U organizua nga Berisha, 3 mijë veta u përgatitën para vrasjes së Hajdarit - 23/10/2025
- Koncert në sallën e operacionit, pacientja luan në klarinetë gjatë ndërhyrjes në tru - 23/10/2025
- Shtoi sanksionet ndaj Rusisë, Trump: Ishte koha, bisedimet me Putinin nuk po shkojnë askund! - 23/10/2025