I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se afati i caktuar nga Qeveria e Kosovës për pararegjistrimin e automjeteve me targa RKS duhet të shtyhet për dhjetë muaj dhe se do të ishte mirë që përgjigja e Qeveria e Kosovës ishte pozitive.
Escobar tha se as presidentja Vjosa Osmani dhe as kryeministri Albin Kurti nuk janë angazhuar për këtë, shkruan Euronews Serbia.
“Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë, por ne duam ta zbatojmë në mënyrë paqësore që të mos ngrejë tensione dhe të mos na shpërqendrojë nga disa gjëra që duhet të bëjmë. Nuk është sekret që kemi kërkuar një periudhë më të gjatë zbatimi dhe ne kërkuam edhe 10 muaj. Do të doja që kjo të ndodhte. Kjo nuk është vetëm një kërkesë e SHBA-së, por e gjithë Kuintit. Dhe kjo sepse ne jemi vendet që mbështesim më shumë Kosovën. Ne nuk kemi marrë përgjigje nga pala kosovare, ne jemi ende në pritje”, tha Escobar.
Escobar deklaroi se SHBA-të mbështesin planin e dialogut franko-gjerman.
“Po, ne e mbështesim plotësisht. Dhe më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi mbështetur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Unë mendoj se njohja nga Serbia do të ndodhë, do të duhet të ndodhë në një fazë të mëvonshme. Por ajo që është e rëndësishme për Kosovën është të fillojë një rrugë më të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euroatlantike, duke përfshirë njohjen nga pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Kjo është gjëja më e rëndësishme që mund të hiqni nga çdo gjë tjetër në proces”, tha Escobar.