Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në rast se qeveria nuk do të kishte mbrojtur çmimin e energjisë elektrike në të gjitha strukturat e bujtinave dhe bizneset e vogla do të kishin falimentuar.
Në një bashkëbisedim me përfaqësues të operatorëve turistikë dhe agroturizmit të bashkisë së Përmetit, Rama tha se këto biznese sot do ishin falimentuar, do kishin mbyllur dyert e do ishin dorëzuar, sepse vetëm çmimi i energjisë do ta bënte të pamundur vazhdimin e aktivitetit e jo më të mendoje që të rrisje volumin e të ardhurave, siç ka ndodhur në fakt.
Rama solli shembullin e Italisë ku sipas tij, “çdo ditë mbyllen biznese, hotele, argoturizme, sepse nuk përballojnë dot më faturën e energjisë”.
“Për ne kjo është jetike, të mbrojmë në këtë dimër të vështirë që kemi përpara deri në fund familjet dhe të mbrojmë edhe biznesin e vogël. Madje, të bëjmë diçka më shumë edhe për sipërmarrjet më të mëdha që nuk e kanë të lehtë”, tha ai.
“Tjetra është që kemi vendosur një fashë për të stimuluar në radhë të parë kursimin dhe për të ulur konsumin e tepër të energjisë për një numër të caktuar familjesh që e kapërcejnë atë konsum, që është më se i mjaftueshëm për të plotësuar të gjitha nevojat e jetës së përditshme deri në 800 kWh, duhet të hynte në fuqi në 1 tetor. Nuk hyri në fuqi, sepse e thashë dhe përsëris, ne rrimë dhe mezi presim të shikojmë një mundësi të vogël që krijohet për të bërë një hap më shumë për të lehtësuar barrën e familjeve dhe të biznese të vogla sidomos, një mundësi të vogël”, tha Rama.
“U krijua një mundësi e vogël për ta shtyrë vendosjen e fashës dhe për të mos e vënë në muajin tetor sepse patëm nga një anë një ulje të konsumit, sipas nesh, jo vetëm për shkak të një moti të qëndrueshëm që e bënte jo dhe aq të nevojshme as ftohjen dhe as ngrohjen, por edhe sepse ka filluar një sensibilizim dhe ndërgjegjësim për të kursyer, dhe nga ana tjetër patëm reshje, jo të mjaftueshme për të fjetur gjumë rehat dhe për të thënë, “o sa mirë që doli dielli”, se kemi ardhur në një kohë kur e shikojmë diellin, të na falë Perëndia, me inat, sepse duam shi, të paktën ne që jetojmë përditë me këtë shqetësim dhe rrimë shikojmë qiellin, edhe pse kemi të dhënat nga shërbimet meteorologjike që janë me një saktësi pak a shumë të plotë”, vijoi ai.
Rama tha se “edhe për muajin nëntor po presim të shikojmë nëse do të na krijohet një mundësi, që për momentin nuk e kemi dhe për këtë arsye duhet të kursejmë”.