Të dhëna të reja ka publikuar televizioni France 2, në lidhje me gjendjen mjerane të punëtorëve që janë angazhuar për ndërtimin e stadiumit të Kupës së Botës.
Një muaj nga nisja e Botërorit Katar 2022, ekipi i France 2 ka kryer një investigim në zonat ku qëndrojnë punëtorët që ndërtuan stadiumit e Kupës së Botës.
Emigrantë nga Arabia dhe Lindja e Mesme dhe e Largët, punëtorët qëndrojnë në rrethinat e Doha, ajo çka aty quhet një “zonë industriale”, në kushte skandaloze, jo të duhura sanitare, me dhoma të vogla dhe kondicioneri nuk punon në një kohë kur temperatura në Katar është 35-37 gradë.
Të pajisur me një kamer të fshehtë, gazetarët treguan gjithë prapaskenat e vuajtjeve të punonjësve që po ndërtojnë infrastrukturën, teksa imazhet flasin vetë. Në kushtet kur në zonë nuk lejohet asnjë pajisje regjistruese, guximi i francezëve ka qenë i madh. Me lajmet se mbi 5 mijë punëtorë të stadiumeve kanë ndërruar jetë në 8 vitet e fundit kur filloi edhe ndërtimi i stadiumeve, ende kushtet janë skandaloze. Në fund të dokumentarit hetues theksohet se kombëtarja e Francës do qëndrojë në hotel me pesë yje, ndërkohë ata që ndërtuan stadiumet janë në gjendje skandaloze.
