Nga Mero Baze
Ka një ngjashmëri në fjalorin e Flamur Nokës kundër SPAK-ut me atë të Ilir Metës disa muaj para arrestimit të tij. Të gjithë e mbajmë mend se Meta filloi të fliste për “pengmarrje,” më pas për “njerëz peng” brenda partisë dhe në fund për “njerëz peng” brenda familjes. Ideja kryesore ishte se SPAK po i afrohej gjithnjë e më shumë dhe do ta “merrte peng.”
Sot, Flamur Noka ngjan shumë me Metën e atyre muajve. Ndërsa të gjithë prisnin shpjegime për sjelljen e tij agresive ndaj Agron Shehajt, ai filloi të fliste përçart si Ilir Meta, duke deklaruar se “SPAK nuk e merr dot peng Flamur Nokën.” Dhe, duke qenë se imiton në gjeste dhe shprehje Sali Berishën, prisja që të thoshte edhe atë shprehjen legjendare: “Jam Flamur Noka unë, o budallenj!” Por, mesa duket, e mbajti veten.
Një nga arsyet e kësaj sjelljeje mund të jetë afrimi i përfundimit të hetimeve ndaj tij. Siç ndodh shpesh me këta të opozitës, periudha para ndonjë vendimi hetimor është koha kur ata “tregojnë muskujt.” Pastaj, kur vjen dita e vendimit, gjithçka ndryshon.
Megjithatë, nuk më shqetëson aq shumë fati penal i Flamur Nokës, sa kjo ideja fikse që kanë disa prej tyre, se nëse hetohen ose akuzohen për korrupsion, mund të “merren peng.” Në një farë mënyre, kjo nënkupton frikën e tyre se mund të shndërrohen në “të penduar,” duke rrëfyer gjithçka që kanë bërë në pushtet, përfshirë dhe rolin e shefit të tyre.
Të paktën Ilir Meta i quante “pengje” bashkëpunëtorët e tij, përfshirë dhe bashkëshorten, pasi sipas tij ata kishin bashkëpunuar me SPAK-un dhe e kishin denoncuar. Tani duket se Flamur Noka nuk ka aq shumë hallin e burgut të tij, sesa frikën se mos Berisha e quan “të pabesë” nëse ai dorëzohet para SPAK-ut, dhe akoma më keq, nëse del ndonjë çështje që lidhet edhe me Berishën.
Pra, e gjithë historia e hetimeve të këtyre pak opozitarëve nga SPAK-u ka përfunduar në një histori “besnikërie” ndaj shefit apo në ndonjë teori “pengmarrjeje.” Partia e Ilir Metës u shkatërrua kur ai shpalli “pengje” të gjithë bashkëpunëtorët e tij që SPAK-u kishte gjetur me telefona apo email-e kompromentuese. Nuk dihet çfarë mund t’i jetë gjetur Flamurit që po betohet publikisht se “nuk është peng,” por e sigurt është që atë e shqetëson më shumë ideja që Berisha ta quajë “peng” sesa të kalbet në burg.
Është një fenomen që ndodh në çdo familje mafioze kur një anëtar bie në dorë të policisë. Nuk ka rëndësi ndëshkimi nga drejtësia, por “besnikëria” ndaj kreut. Dhe, ndoshta, Flamuri do ta përballojë këtë sfidë duke mbrojtur nderin e traditës qe ka “Familja” e tij politike.
- Dhjetori i festave në Lezhë, Rama: Aty ku Simboli i Betlehemit është ngritur për herë të parë pranë “Fshatit të festave” - 22/12/2024
- “Gjykata e Lartë na dha të drejtë”, Meloni: Të hënën do të shohim si do të procedojmë me Shqipërinë për emigrantët - 22/12/2024
- Rama njoftoi mbylljen për 1 vit, reagon TikTok: Do kërkojmë sqarime nga qeveria shqiptare - 22/12/2024