Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e diskutimeve sëbashku me Bashkimit Europian sa i takon çështjes së përballimit të krizës energjetike. Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se edhe ministrat e Energjisë së Ballkanit do të marrin pjesë në takimin e BE-së për krizën energjetike që do të mbahet në Pragë sëshpejti.
Kjo dakordësi, Rama tha se është arritur pas kërkesës së tij ndaj kryetares së Komisionit Europian, ndërsa zbuloi edhe detaje nga bisedimet në të takimin e Komunitetit Politik Europian. Rama tha se fokusi kryesor në këto tryeza bisedimesh ka qenë kriza energjetike, ndërsa u tregua i qartë se ka kërkuar me insistim që 6 vendet e Ballkanit Perëndimor që të marrin ndihmë konkrete nga BE, ndonëse i kanë hapur ose jo negociatat.
“Lajmi i mirë është që me kërkesën time drejtuar kryetares së komisionit është pranuar që të thirren edhe ministrat tanë të energjisë në takimin që do zhvillohet në Pragë për të trajtuar çështjen e energjisë si një çështje europiane dhe jo si një çështje të BE. Në tryezën e rrumbullakët ku kam qenë bashkë me kryeministrin e Holandës tonë fokusi kryesor ka qenë kriza energjetike dhe si vendet tona, duke filluar nga vendet tona, duke nisur nga vendet që kanë hapur negociatat për anëtarësim, do duhet të ndihmohen drejtpërdrejte. Unë kam insistuar që duhet të përfshihen të 6 vendet, pavarësisht nëse i kanë hapur apo jo negociatat”, tha Rama.