24.5 C
Tirana
12 / 05 / 2026

Peleshi në Ministerialin e NATO-s në Bruksel, takohet me homologun ukrainas

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u takua në Bruksel, me Ministrin e Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov. Gjatë këtij takimi, Peleshi dhe Umerov biseduan mbi situatën aktuale në Ukrainë dhe rëndësinë e mbështetjes nga Aleanca, si një element thelbësor në rezistencën ndaj luftës me Rusinë.

Ministri Umerov shprehu mirënjohjen ndaj vendit tonë dhe falenderoi për mbështetjen e gjithanshme që Shqipëria i ka ofruar Ukrainës, që prej fillimit të luftës.

Lufta në Ukrainë ishte fokus kryesor i takimit të ministrave të Mbrojtjes, të mbledhur në selinë e NATO-s, në Bruksel.

Vijimi i mbështetjes së vendeve të Aleancës ndaj Ukrainës, në zbatim të vendimeve të Samitit të Vilnius u diskutua fillimisht në një takim të veçantë të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën, që u mbajt në fillim të takimit formal të ministrave të Mbrojtjes se NATO-s, ku morën pjesë mbi 50 vende të ndryshme aleate dhe partnere të NATO-s.

Gjatë këtij takimi u theksua nevoja imediate për mbështetjen e Ukrainës me kapacitete ushtarake si; sisteme armatimi, artileri dhe municione të kalibrave të ndryshëm me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës kritike të saj, nga agresioni rus.

Në kuadër të punimeve të Ministerialit, një vëmendje të veçantë mori takimi i Këshillit NATO-Ukrainë, i zhvilluar për herë të parë në nivel të ministrave të mbrojtjes, me qëllim afrimin e saj me Aleancën, duke shënuar një kapitulli të ri në marrëdhëniet NATO-Ukrainë.

Në ndërhyrjen e tij ministri Peleshi rikonfirmoi se, Shqipëria do të vazhdojë ndihmën e saj politike, ushtarake dhe humanitare për Ukrainën. “Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me qeverinë dhe popullin e Ukrainës dhe mbështesim aspiratat e tyre për t’u anëtarësuar në NATO ”,  u shpreh ministri Peleshi.

Gjatë takimit, vendet aleate mbajtën qëndrim të unifikuar për vijimin e kontributeve, si dhe ruajtjen e solidaritetit dhe kohezionit në mbështetje të popullit ukrainas dhe luftës së tij. Gjithashtu, mbështetje të palëkundur në rrugëtimin e Ukrainës drejt integrimit Euro-Atlantik.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x