Në konferencën për shtyp ku njoftoi zbulimin e naftës në Shpirag dhe shpjegoi se si ky zbulim mund të ndryshojë ekonominë e familjeve shqiptare, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Energjisë, Belinda Balluku nuk dhanë shumë detaje financiare mbi përfitimet financiare të shtetit shqiptar.
Por, duke deklaruar se shifrat janë konfidenciale, ministrja Balluku tha se përfitimi financiar është i konsiderueshëm, aq sa për menaxhimin e këtij burimit të ardhurash në arkat e shtetit do të ngrihet një fond i posaçëm.
“Që nga momenti që ne kemi filluar punën për ngritjen e një fondi sovran, do të thotë që nuk janë të ardhura 500 milionë euro në vit, të cilat shkojnë direkt në buxhet të shtetit për të mbuluar nevojat, por flitet për të ardhura shumë më të larta të cilat nuk mund të menaxhohen nga buxheti i shtetit dhe do të menaxhohen nga Fondi Sovran, ashti siç ka ndodhur me naftën në Norvegji, me naftën në Arabinë Saudite, në Azerbajxhan dhe kudo tjetër”, deklaroi Balluku.
Kontrata koncesionare për Shpiragun, sipas sqarimit të ministres Balluku parashikohet që të jetë 30 vite, ku shteti shqiptar do të përfitojë 10 për qind rente minerare mbi produktin dhe 50 për qind tatim-fitim dhe një bonus për sasinë e prodhimit. Duke folur me shifra, Balluku tha se që me prodhimin e fuçisë së parë, Shqipëria do të arkëtojë bonus 250 mijë dollarë, 750 mijë dollarë nëse prodhimi arrin 15 mijë fuçi në ditë dhe 1.5 milionë dollarë nëse arrin mbi 30 mijë fuçi.
Kjo do të thotë se Qeveria shqiptare do të arkëtojë në rastin kur prodhimi është nën 15 mijë fuçi, 91 milionë dollar në vit dhe në skenarin më të mirë të 30 mijë fuçive në vit, 547 milionë dollarë. Kapaciteti prej 30 mijë fuçish është më optimisti, duke pasur parasysh se në Patos Marinëz, e konsideruar si fusha naftëmbajtëse më e madhe kontinentale në Europë, prodhimi maksimal është ai i 2014-s me gati 21 mijë fuçi në ditë.
- Sot seancë plenare në Kuvend, projekt-buxheti 2026 do të shqyrtohet tek “Ekonomia” - 06/11/2025
- Demokrati Zohran Mamdani zgjidhet kryebashkiak i Nju Jorkut, i pari mysliman në histori - 05/11/2025
- Progres raporti i KE, Rama ndan deklaratën e Marta Kos: Do të bëjmë gjithçka për t’u ulur si të barabartë në tryezën e BE - 04/11/2025