18.5 C
Tirana
10 / 05 / 2026

Kandidati i PD për bashkinë Tiranë Roland Bejko, takim me qytetarët e njësisë 2 dhe 8 të Tiranës

Kandidati për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, ishte me demokratët e degës numër 2 dhe 8 të Tiranës, ku mes entuziazmit  shprehu bindje se e ardhmja i përket Partisë Demokratike dhe qytetarëve të ndershëm të kryeqytetit dhe mbarë vendit tonë.

Kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës u shpreh para demokratëve kryeqytetas se nuk ishte i emocionuar që ndodhej sot para tyre, pasi emocionet i janë shkrirë në 1 vit e gjysmë, periudhë të cilën ai e quajti të trishtë për Partinë Demokratike.

“Për fat të keq nuk është një histori e trishtë vetëm për Partinë Demokratike, por është një histori e trishtë për demokracinë shqiptare, Shqipërinë dhe shqiptarët. U desh që Partinë Demokratike ta gjunjëzonin, ta thyenin, ta çanin, ta ndanin në shumë pjesë, vetëm për interesa personale duke shkelur me këmbë sakrificën 32 vjeçare të mijëra e mijëra demokratëve që e krijuan këtë parti, investuan për të, që e bënë fituese disa herë, por edhe që e ringritën nga hiri”, tha Roland Bejko në fillim të fjalës së tij.

Bejko nënvizoi faktin se më tepër është investuar te një njeri i vetëm, Sali Berisha, të cilin e konsideroi në tërë udhëtimin 32-vjeçar, që nga takimet e hershme me Ramiz Alinë, si autorin kryesor të shkatërrimit të idealeve të studentëve të dhjetorit ’90 dhe sakrificës së demokratëve në këto tri dekada.  

Roland Bejko u shpreh optimist para demokratëve të Tiranës në ringritjen e Partisë Demokratike. “Ata vërtet e gjunjëzuan Partinë Demokratike, por nuk e shembën dot dhe nuk kanë për ta shembur dot. Është aspiratë jo vetëm e këtij brezi sot, që është gjallë, por është aspiratë edhe e atyre që dhanë jetën në diktaturë. Dhe ne kemi për detyrë që të mbrojmë rrënjët tona”.

“Politikën shqiptare sot i ka kapur oligarkia politike. Kjo është oligarkia politika që ka 30 vite që ka vendosur mbi fatin e shqiptarëve. Kjo është oligarkia që ka detyruar 1/3 e shqiptarëve të largohet nga Shqipëria dhe të lërë këtu çdo lloj investimi. T’ju vrasi çdo lloj ëndrre. Dhe kjo oligarki që përbëhet nga Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta, dhe dy çirakët e tyre që sot i kanë në garë, por edhe shumë të tjerë që kanë abuzuar me besimin e popullit, me postet dhe ofiqet që u janë dhënë, duke bashkëpunuar përmes korrupsionit me krimin e organizuar, e kanë bërë sot Tiranën të pajetueshme, stresante”.

Bejko tha mes të tjerash se sipas organeve ligjzbatuese të huaja janë pastruar në Shqipëri 1.6 miliardë euro. “Ata ndërtojnë gradaçelat dhe mirëqenien e tyre duke prishur themelet e jetës së qytetarëve, duke e bërë Tiranën të pabanueshme”.

Kandidati demokrat përmendi edhe faktin, se si të mos mjaftojë largimi në emigracion i qytetarëve nga rrethet e tjera, të tjerët e mbetur të gjithë po vijnë në Tiranë. “Vijnë në Tiranë për të blerë apartamentet e pashitura të oligarkëve politik dhe ekonomik që ditën bëjnë sikur zihen për politikë, për parime dhe demokraci dhe natën ndajnë qastat dhe ato hapësira publike që kanë mbetur me ortakë të përbashkët, për të ndërtuar blloqet e mëdha të pallateve. Që lekët e tyre t’i bien dhe të blejnë apartamentet. Jo më kot industria më fitimprurëse ka mbetur industria e ndërtimit”.

“Unë jam për ndërtim, por për ndërtimin e një qyteti me hapësira publike, që qytetarët të kenë akses në qarkullim, që të mos kenë stres kur të dalin nga banesa derisa shkojnë në punë. Vetë Erion Veliaj nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje. Në 2015 fitoi me mbështetjen e LSI, në 2019 fitoi pa kundërshtarë”.      

“Është oligarkia ekonomike, politike, është krimi i organizuar, janë mediat që paguhen nga këta oligarkë të cilët na mbyllin çdo lloj hapësire publike të komunikimit por që nuk na mundin dot sepse ne kemi qytetarët. Shihni sondazhet dhe rezulton se 43 për qind e demokratëve e refuzojnë politikën e Sali Berishës dhe të Ilir Metës. Mbi 70 për qind e qytetarëve shqiptarë e refuzojnë të gjithë këtë klasë politike”, tha Bejko teka shprehu optimizmin se e ardhmja i përket demokratëve të dhe qytetarëve të ndershëm, të cilët duan ndryshim dhe përmes bashkimit do të realizojnë atë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x