7.5 C
Tirana
29 / 01 / 2026

Temperaturat e ulëta, pamje spektakolare nga dallgët e liqenit të Ohrit

Temperaturat e ulëta të këtyre ditëve kanë shënuar ngrica në shumë qytete të juglindjes së vendit. Pavarësisht problematikave që sjell stina e dimrit, ka edhe bukurinë e vet.

Në liqenin e Pogradecit gjithçka tashmë është kthyer në akull dhe njëherësh në art. Pranë liqenit janë formuar forma mbresëlënëse.

Dallgët e liqenit të Ohrit të cilat përplasen në breg janë kthyer në akull, duke dhuruar pamje fantastike. Format e krijuara nga temperaturat e ulëta, ofrojnë një pamje piktoreske dhe madhështore mëngjesin e kësaj të hëne.

Temperaturat gjatë natës zbritën në -14 gradë duke sjellë pamje interesante me skulpturat e akullit në bregun e liqenit, kryesisht në urat apo pistat turistike të vendosura në brendësi të liqenit nga operatorët turistikë.

Kjo gjë nuk ndodh shpesh në qytetin liqenor, teksa edhe vitin e kaluar ka ndodhur i njëjti fenomen, i munguar prej disa vitesh, ndërkohë që edhe këtë mëngjes pamjet në breg të liqenit kanë qënë të mrekullueshme duke tërhequr vëmendjen e vendasve dhe vizitorëve.

Pogradeci njihet gjerësisht për liqenin, por ky qytet nuk frekuentohet nga turistët vetëm në verë. Qyteti liqenor mbetet gjithmonë një destinacion i preferuar edhe në stinën e dimrit, sidomos kur ka reshje bore.

Pamja piktoreske e liqenit dhe borës, i japin qytetit një sfond të mrekullueshëm. Nuk janë të paktë ata që shkojnë në Pogradec për të parë bukurinë që ofron edhe dimri që herë-herë “ngrin” edhe liqenin me spektaklin që ofron akulli buzë tij.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x