Shkon në 54 numri i kamerave të çmontuara dhe në 20 numri i shtetasve për të cilët janë iniciuar hetime të thelluara.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë kanë çmontuar së fundi, 6 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin dhe inicioi hetimet për 6 shtetas, për ndërhyrje të padrejta në jetën private.
Më herët, janë çmontuar 48 kamera dhe u iniciuan hetimet për 14 shtetas të tjerë.
Shërbimet e Komisariateve të Policisë Pogradec, Devoll dhe Korçë në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar, të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, në qytetet e Pogradecit, Bilishtit dhe Korçës me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
Në kuadër të këtij operacioni në lagjet nr. 1, 2, 5, në qytetin e Pogradecit, si dhe në qytetin e Bilishtit dhe në lagjen nr. 4 në Korçë, janë çmontuar 6 kamera.
Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, janë iniciuar hetimet për 4 shtetas në Pogradec, 1 në Devoll dhe 1 shtetas në Korçë.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë për veprime të mëtejshme.

