Gara për Avokatin e Ri të popullit do të rihapet sërish duke e mbajtur këtë institucion peng të pakteve politike.
Me nisjen e sesionit të ri parlamentar në janar, kuvendi i Shqipërisë do të duhet të rihapë aplikimet për kandidatët, pasi mazhoranca dhe opozita nuk gjetën konsensus për 84 votat që i duheshin propozimit të demokrateve, Ledion Brahos për të qenë pasardhësi i Erinda Ballancës.
Deputetët e opozitës tërhoqën firmat për kandidatët e tjerë duke i siguruar mbështetjen vetëm një emri, Avokatit Ledio Braho.
Por, deklarata e prerë e kryeministrit Edi Rama në seancën e 22 dhjetorit se nuk do të votojnë për një avokat partie, ndryshoi tërësisht rrethanat për një proces, i cili u mendua se ishte drejt finalizimit.
Ndonëse më herët Taulant Balla e kishte cilësuar si një kandidaturë të pranueshme.
Qëndrimi i prerë kryeministrit erdhi pas akuzave të deputetit demokrat Gazmend Bardhi se kjo ishte një skemë e mazhorancës për të shkëmbyer votat e opozitës pro Ardian Dvoranit si anëtar të gjykatës kushtetuese.