Një samit historik, për të parën herë i mbajtur në Ballkanin Perëndimor, pikërisht në Tiranë, ku liderët evropianë dhe ata të rajonit, janë mbledhur dhe kanë dalë në një deklaratë të përbashkët, me 33 pika, për të ardhmen e përbashkët.
Prej luftës në Ukrainë dhe mbështetjes ndaj Kievit, tek perspektiva evropiane, bashkëpunimi rajonal i tejçuar në bashkëpunim evropian apo sfidat e migracionit dhe zgjidhja e problemeve të brendshme të Ballkanit, zyrtarët më të lartë në kontinentin e vjetër, janë dakordësuar.
Pikërisht me dënimin e përbashkët të agresionit rus në Ukrainë, nis deklarata, duke theksuar se paqja dhe siguria e gjithë Evropës, është vënë në rrezik prej sulmit të Vladimir Putinit në Ukrainë.
Më pas, vijohet me perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke u bërë një thirrje për përshpejtim të procesit të anëtarësimit, për të gjitha vendet.
Për këtë arsye, Bashkimi Evropian ka vendosmëri të mbështesë vendet ballkanike, për të mbështetur vlerat dhe parimet thelbësore evropiane.
Një pikë me rëndësi, mbetet ajo për të përafruar politikën e jashtme mes të gjitha vendeve, për të garantuar kështu sigurinë e unionit, deri në anëtarësimin e plotë të rajonit.
Mbështetje për rrugëtimin, do të ketë në disa sektorë, përfshi tregtinë, për të rritur standardin rajonal.
Megjithatë, siç shpjegohet në pikën gjashtë, ky integrim duhet të jetë gradual dhe i mbështetur në vazhdimësinë e reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit.
Bashkëpunimi rajonal mes vendeve, përbën një tjetër pikë të lartë interesi, ku siç është theksuar edhe nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nisma rajonale si “Open Balkan”, janë të mirëpritura, për sa kohë ato janë në përputhje me angazhimet evropiane të vendeve.
Pika e nëntë ndërkaq, lidhet me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, i cili si i ndërmjetësuar nga pala evropiane, duhet të arrijnë marrëveshjen e plotë dhe gjithëpërfshirëse.
Sa lidhur me krijimin e konceptit të Komunitetit Politik Evropian, i cili u mbajt më 6 tetor në Pragë, do të ketë vijimësi të procesit.
Një paketë energjetike, është me grante me vlerë deri në 2.5 miliardë euro investime, do të ndihmonte Ballkanin Perëndimor për të përballuar krizën dhe kësisoj, asistencë shtesë pritet.
Këtu, duke përfshirë edhe një plan evropian, të emërtuar REPower, i cili synon blerje të përbashkëta gazi dhe shpërndarje të drejtë mes tyre.
Agjenda e Gjelbër, do të jetë e njehsuar për të gjitha vendet, duke zbatuar Marrëveshjen e Parisit si një plan të mirëfilltë për ndryshimet klimatike.
Një mekanizëm i posaçëm i përgatitjes ndaj krizave të sigurisë ushqimore, ndër të tjera, përfshihet në planin e madh evropian, sipas deklaratës.
Shtim të bashkëpunimit, do të ketë edhe në fusha me itneres nga të dyja palët, duke arritur e kulmuar deri në integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Stimul shtesë do të ketë edhe për programet studimore të shkëmbimeve, si Erasmus+, të cilat shihen si mënyrë për të lidhur më shumë vendet mes tyre.
Në fushën digjitale, ulja e tarifave të roamingut, deri në zerimin tërësor të tyre në vitin 2027.
Një pikë e veçantë, është ajo e korsive të gjelbra mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimro, duke u lidhur edhe me pikat blu, të cilat lidhen me kalimet detare.
Të një rëndësie shumë të lartë janë sfidat e sigurisë me të cilat vendet përballen, ku do të kërkohet bashkëpunim i mëtejshëm për çështjet thelbësore të sigurisë dhe mbrojtjes.
Mbi të gjitha, sa lidhet me manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj, në formë dezinformimesh.
Pikat e fundit, të gjitha trajtojnë çështjet e migracionit, ku të përfshira në deklaratë janë pesë pikat e propozuara nga Komisioni Evropian për të linjëzuar politikën e vizave, bashkëpunimin kundër terrorizmit si edhe parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe trafikimit.
Në këtë frymë, të gjithë vendet në bashkërendim – 33 të tilla – në 33 pika, përmblodhën kështu një samit historik të zhvilluar për të parën herë në rajon.