17.5 C
Tirana
15 / 03 / 2026

Ish-Kryeministri Aleksandër Meksi, kallëzohet në SPAK për vjedhje e pastrim parash me firmat piramidale

Një kallëzim penal është referuar në SPAK, ndaj ish-Kryeministrit Aleksandër Meksi dhe familjarëve të tij, me pretendimin se kanë përfituar nga paratë, që firmat piramidale u përlanë shqiptarëve, përmes skemë së famshme të mashtrimit.

Në kallëzim pretendohet se familja Meksi, është përgjegjëse dhe e implikuar në akte korruptive, me subjekte të caktuara të firmave piramidale dhe për këtë arsye, nga ana e palës kallëzuese është dorëzuar në cilësinë e provës në “SPAK”, dy dosje penale të Shemsie Kadrias, ish-boses së ‘Gjallicës’ dhe ajo e Maksude Kadënës, organizatores së firmës piramidale financiare ‘Sude’.

Kallëzimi penal është referuar nga Studio Ligjore “Jurisprudenca”, me administrator Arben Llangozi, ku pretendohet që Aleksandër Meksi, bashkë me fëmijët dhe bashkëshorten, kanë përfituar para në bashkëpunim me firmat piramidale, duke i investuar më pas në pasuri të paluajtshme dhe pastrimi i parave organizohet nëpërmjet 11 shoqërive tregtare, shkruan Pamfleti.

Në kallëzim pretendohet dhe është çuar në SPAK, një dosje e një makine të përfituar nga Aleksandër Meksi, dhuratë e korrupsionit nga Shemsie Kadria, ish-bose e ‘Gjallicës’,( makinë e blerë 60.000$) dhe kjo është prova që e implikon familjen Meksi në korrupsion.

Në kallëzim kërkohet hetim pasuror për të kallëzuarit dhe për shoqëritë tregtare, të cilat pastrojnë paratë e firmave piramidale të vitit 1997, dhe kjo vepër, ajo e pastrimit të parave, nuk është parashkruar, pasi ndër vite ka pasur transaksione dhe veprime të ndryshme juridike që provojnë pastrimin e parave në vite.

Në kallëzim kërkohet sekuestrimi i 40 pasurive të paluajtshme, mes tyre 11 kompani, apartamente, garazhe, troje, godina dhe njësi ndërtimore. Sipas materialit kallëzues, pasuritë në emër të Aleksandër Meksit dhe të familjarëve të tij, janë ngritur me paratë që u janë vjedhur shqiptarëve, kryesisht gjatë viteve 1994-1996. (oranews)

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x