Kreu i Korporatës Elektoenergjitike Shqiptare, Ergys Verdho thotë se shkarkimet nga hidrocentralet në veri të vendit u kryen me vendim të specialistëve të fushës, pasi parashikimi për reshje nuk rezultoi i saktë.
Verdho tha se një javë më parë, parashikimi ishte për 200 ml/l reshje, por që rezultoi të ishte 400 ml/l. Për importin e energjisë të premten në mëngjes, Verdho tha se u krye për të mos rrezikuar uljen e rezervës energjitike.
Duke iu përgjigjur akuzave të Sali Berishës, gjatë një interviste për Abc Neës, drejtori i KESH tha se kompania ka arritur të shesë 3.9 milionë euro, dhe ka kapur çmime rekord në shitje prej 233 eurosh për mW.
Pjesë nga intervista:
Pse KESH bleu energji nga 14 në 20 nëntor, kur dihej që do kishte shi?
Nga parashikimet e motit, ditën e enjtje dhe të premte që ne dolëm për blerje, parashikohej një front atmosferik siç edhe ndodhi, por niveli është në masën 40%, po të prodhonim deri të premten e kaluar do rrezikonim rezervën energjitike. KESH alternon atë që quhet prodhim me atë që quhej import. Sasia e importit nuk përllogaritet, përllogaritet nga specialistët e fushës, që thonë shiu do të vijë në kaq milimetra, por ne nuk mund të parashikojmë dot me saktësi 10 ditë përpara.
KESH bën blerje 1 vjeçare, sa evente do të ndodhë, 20, do kesh mundësi ta menaxhosh? Ndodhin fenomene të pa parashikuara ndërkohë. Mosblerja në atë kohë rrezikonte uljen e rezervës energjitike, kur blejmë kritikohemi, kur ulim rezervën energjitike kritikohemi, kur punojmë kritikohemi.
Nuk kemi shitur 600 mijë euro, por 3 milionë e 900 mijë euro. Sot kemi shitur në orët e natës, ishte shitje e detyruar dhe është shitje shumë e mirë. Për ta konsumuar një ujë që mund ta derdhim, shkojmë edhe e shesim qoftë edhe me 82 euro. KESH ka shitur me 203.8 dhe me 233 në vlerën më të madhe. KESH nuk shet me zarfa si dikur, por me platformë.