Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca do të mbrohet nga çdo kërcënim në hapësirë, pas raportimeve se Rusia po përgatitet të lëshojë një satelit të pajisur me armë bërthamore.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, vendet anëtare të NATO-s kanë shkëmbyer këtë muaj informacione të inteligjencës lidhur me një lëshim të mundshëm të satelitit rus brenda 60 ditëve të ardhshme. Megjithatë, nuk është bërë e ditur se cili shtet ka hartuar këto vlerësime.
I pyetur për këto informacione gjatë një konference për shtyp në Berlin, Rutte theksoi se Aleanca është e gatshme të përballet me çdo kërcënim, përfshirë edhe atë që mund të vijë nga hapësira.
“Ne gjithmonë do të sigurohemi që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, dhe kjo përfshin edhe sigurinë tonë kur bëhet fjalë për elementin hapësinor”, deklaroi kreu i Aleancës.
Nga ana tjetër, Kremlini ka hedhur poshtë raportimet. Zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov, tha se nuk kishte parë informacionet e fundit, por i cilësoi raportet e bazuara në burime anonime si të pabesueshme.
Edhe Ambasada ruse në Berlin i mohoi akuzat, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe pjesë të një fushate propagandistike.
Rutte bëri të ditur se NATO ka në dispozicion disa alternativa reagimi dhe se vlerësimet për kapacitetet e saj mbrojtëse dhe parandaluese përditësohen sa herë që është e nevojshme.
Sipas raportimeve të transmetuesve gjermanë NDR dhe WDR, si dhe gazetës “Süddeutsche Zeitung”, të cilat citojnë burime anonime ushtarake dhe të inteligjencës, sateliti rus mban emrin “Sputnik-S”.
- Gjykata e Lartë e Danimarkës lë në fuqi ligjin për “getot”, vendimi kundër lagjeve me migrantë - 24/11/2026
- Zgjedhjet vendore, Spahiu: Nëse protesta nxjerr një kandidat për Tiranën, atëherë PD del e 3-ta ose 4-ta në rezultat! - 24/11/2026
- NATO paralajmëron Rusinë për armët bërthamore në hapësirë, Rutte: Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit tonë! - 24/11/2026