Banka Botërore vlerëson se ekonomia shqiptare po ruan ritme të qëndrueshme rritjeje, e mbështetur nga kërkesa e brendshme, shërbimet dhe ndërtimi. Sipas raportit, Banka Botërore vlerëson se për të garantuar një zhvillim më të fortë në afatgjatë, vendi duhet të rrisë produktivitetin, të diversifikojë eksportet dhe të përballet me sfidat demografike.
Në vijim, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.4% gjatë vitit 2026 dhe të përforcohet gradualisht gjatë viteve 2027-2028, ndërsa bilancet fiskale dhe të jashtme kanë shënuar përmirësim dhe borxhi publik ka zbritur nën 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Këto janë disa nga gjetjet kryesore të raportit të Bankës Botërore për perspektivën ekonomike të Shqipërisë.
Sipas raportit, ekonomia ruajti një ecuri të qëndrueshme në fillim të vitit 2026, e nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme, sektori i shërbimeve dhe ndërtimi. Kërkesa e lartë për punonjës, në raport me ofertën e fuqisë punëtore, ka ndihmuar në uljen e papunësisë në nivelin më të ulët historik. Ndërkohë, pagat kanë vijuar të rriten dhe varfëria ka shënuar rënie të mëtejshme.
Edhe sektori financiar paraqitet i qëndrueshëm, me rritje të fortë të kreditimit dhe nivel të ulët të kredive me probleme. Megjithatë, Banka Botërore evidenton rritjen graduale të inflacionit deri në gusht, të ndikuar nga çmimet e ushqimeve dhe karburanteve, kostot e larta të qirave, të nxitura edhe nga kërkesa turistike, si dhe rritja e ndjeshme e pagave.
Përmirësohen financat publike, borxhi zbret nën 50% të PBB-së
Pozicioni fiskal i Shqipërisë ka vijuar të forcohet, i mbështetur nga ecuria pozitive e të ardhurave buxhetore. Sipas raportit, kjo ecuri mundësoi krijimin e një suficiti fiskal gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.
Suficiti fiskal, së bashku me rritjen e vlerës së lekut, ka kontribuar në uljen e mëtejshme të borxhit publik, i cili ka zbritur nën 50% të PBB-së.
Përmirësim është shënuar edhe në pozicionin e jashtëm të vendit. Rritja e investimeve të huaja direkte, shtimi i rezervave valutore dhe ngushtimi i deficitit të llogarisë korrente kanë ndihmuar në forcimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Turizmi dhe shërbimet mbeten shtyllat kryesore të rritjes
Pavarësisht ecurisë pozitive, Banka Botërore nënvizon se ekonomia shqiptare vijon të përballet me sfida strukturore. Rritja mbështetet kryesisht te turizmi sezonal me volum të lartë, por me vlerë të shtuar relativisht të ulët, si dhe te shërbimet e tjera.
Ndërkohë, baza e eksporteve mbetet e ngushtë, çka kufizon potencialin për rritjen e produktivitetit, zgjerimin e aktivitetit të bizneseve dhe krijimin e vendeve më cilësore të punës.
Sipas analizës, megjithëse bizneset shqiptare kanë mundësi relativisht të mira për të hyrë në tregjet e eksportit, shumë prej marrëdhënieve të eksportit mbeten afatshkurtra. Kjo e bën më të vështirë krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme tregtare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve shqiptare.
Për këtë arsye, raporti sugjeron që reformat tregtare të përqendrohen jo vetëm te tarifat doganore, të cilat janë tashmë relativisht të ulëta, por edhe te reduktimi i barrierave rregullatore dhe administrative. Sipas Bankës Botërore, këto kosto të brendshme mund të jenë dy deri në pesë herë më të larta se tarifat ekzistuese.
Reformat tregtare mund të rrisin PBB-në deri në 10%
Një nga gjetjet e rëndësishme të raportit lidhet me potencialin e reformave në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve. Sipas Bankës Botërore, këto reforma mund të rrisin nivelin e PBB-së deri në 10% në afatin e mesëm, duke nxitur eksportet, investimet dhe krijimin e vendeve të punës.
Për të përfituar nga ky potencial, Shqipëria duhet të lehtësojë procedurat administrative, të ulë kostot e të bërit biznes dhe të përmirësojë kushtet për ndërmarrjet që synojnë të zgjerohen në tregjet ndërkombëtare.
Diversifikimi i eksporteve dhe rritja e investimeve private konsiderohen gjithashtu faktorë të rëndësishëm për të ulur varësinë nga sektorët me aktivitet sezonal dhe për të krijuar një bazë më të qëndrueshme të rritjes ekonomike.
Perspektiva për 2027–2028 dhe sfidat që mbeten
Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike të arrijë në 3.4% në vitin 2026 dhe të forcohet gradualisht gjatë periudhës 2027–2028.
Perspektiva ekonomike mund të përmirësohet më tej nga përparimi në reformat që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, rritja e produktivitetit, shtimi i investimeve private dhe zgjerimi i bazës së eksporteve.
Megjithatë, pasiguria globale, presionet demografike dhe rreziqet klimatike mbeten ndër sfidat kryesore për ekonominë shqiptare.
Në këtë kontekst, Banka Botërore vlerëson se ruajtja e ritmeve të rritjes kërkon reforma strukturore që shkojnë përtej rezultateve afatshkurtra. Rritja e produktivitetit, diversifikimi ekonomik dhe përmirësimi i konkurrueshmërisë do të jenë vendimtare për të garantuar më shumë investime, vende pune cilësore dhe një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në vitet e ardhshme.
- “Nuk e kuptoj çfarë shpresojnë të arrijnë”, kryeministrja daneze kritikon homologët nordikë për telefonatën me Putin - 27/10/2026
- “Turizmi, shtylla kryesore!”- Raporti i Bankës Botërore: Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.4%, borxhi publik bie nën 50% të PBB-së! - 27/10/2026
- Rruga e Ndroqit, firmoset kontrata për 9 kilometra, financim edhe për segmentin drejt Durrësit - 27/10/2026