19.4 C
Tirana
08 / 10 / 2026

Përleshje në Beograd/ Përplasen mbështetësit e Vuçiçit me protestuesit e Listës Studentore

Një përleshje fizike ka shpërthyer në lagjen Konjarnik të Beogradit mes mbështetësve të Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe qytetarëve që mbështesin Listën Studentore.

Incidenti ndodhi në kryqëzimin e rrugëve “Vojislav Iliç” dhe “Ustaniçka”, ku po zhvilloheshin paralelisht dy tubime të ndara.

Sipas Nova.rs, mbështetësit e partisë në pushtet mbërritën në vendngjarje para qytetarëve të nismës “Zbor Konjarnik”.

Situata u përshkallëzua pasi një protestuese që mbështeste Listën Studentore i mori një flamur një prej mbështetësve të SNS-së. Më pas, disa persona iu vërsulën asaj.

Incidenti ndodhi në të njëjtën kohë kur presidenti serb Aleksandar Vuçiç, duke folur nga Valeva, u bënte thirrje mbështetësve të tij të mos përfshiheshin në përballje me simpatizantët e Listës Studentore.

Pas disa orësh tensioni, tubimi përfundoi me largimin e qytetarëve të mbledhur në protestë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x