Kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, shumë zyrtarë rusë, nga presidenti Vladimir Putin te gjeneralët dhe ushtarët e thjeshtë, besonin se operacioni do të zgjaste vetëm pak ditë dhe do të përfundonte me dorëzimin e Kievit.
Rreth katër vite e gjysmë më vonë, kjo pritshmëri është kthyer në një iluzion, ndërsa lufta ka sjellë humbje të rënda edhe për forcat pushtuese.
Sipas vlerësimeve të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), rreth 1.5 milionë ushtarë rusë janë vrarë, plagosur ose rezultojnë të zhdukur, ndërsa mijëra të tjerë janë kapur robër.
Të dhënat e publikuara nga pala ukrainase, bazuar në dëshmitë e disa ushtarëve rusë të kapur, flasin edhe për kushte të rënda në front. Sipas tyre, ushtarët janë lënë për periudha të gjata pa ushqim, ujë, municione dhe kujdes mjekësor. Disa pretendojnë se janë detyruar të pinë edhe urinën e tyre ose ujë nga pellgje dhe përrenj me baltë për të mbijetuar.
Robëria është gjëja më e mirë që mund t’ju kishte ndodhur
Dëshmitë janë publikuar në një video nga Korpusi i 3-të i Ushtrisë së Ukrainës, i cili pretendon se ka kapur rreth 50 ushtarë rusë gjatë operacionit “Vivaldi”, një kundërofensivë ukrainase në veri të Limanit, në rajonin e Donetskut.
Në video, ushtarët rusë merren në pyetje nga komandanti i Korpusit të 3-të të Ushtrisë ukrainase, gjeneral brigade Andriy Biletsky. Ai u thotë robërve se kanë “tërhequr shortin me fat” dhe se “robëria është gjëja më e mirë që mund t’ju kishte ndodhur”, duke iu referuar kushteve në të cilat, sipas tij, ata ishin detyruar të luftonin.
Një prej ushtarëve, i cili u prezantua si zëvendëskomandant i një kompanie sulmuese të Regjimentit 283 të Divizionit të 144-të të Këmbësorisë së Motorizuar, tha se kishte humbur më shumë se 60 kilogramë në gjashtë muaj.
“Burrat po vdisnin në pozicionet e tyre sepse nuk mund t’u çonim as ushqim”, pretendoi ai.
Një tjetër ushtar deklaroi se komandantët i kishin braktisur pozicionet, kishin fikur komunikimet radio dhe u kishin dhënë urdhër të mbanin pozicionet në formacion rrethor.
Sipas ukrainasve, një prej ushtarëve rusë ishte në një gjendje aq të rëndë nga uria, saqë vdiq pak pasi u kap.
Edhe blogerët rusë flasin për mungesa të rënda
Pretendimet e ushtarëve janë mbështetur pjesërisht edhe nga raportime të blogerëve ushtarakë rusë, të cilët kanë shkruar për mungesa të ujit, ushqimit, komunikimit dhe furnizimeve në zonën e luftimeve.
Një prej tyre, që përdor pseudonimin “Management Speaks”, shkroi në Telegram se disa ushtarë kishin kaluar ditë pa ujë dhe se disa ishin detyruar të pinin urinën e tyre.
Sipas blogerëve, mungesa e komunikimit dhe furnizimeve ka bërë që një numër i konsiderueshëm ushtarësh të kapen nga forcat ukrainase. Ata pretendojnë gjithashtu se komandantët në terren kanë keqinformuar ushtarët dhe eprorët e tyre për përmasat reale të kundërofensivës ukrainase.
Kundërofensiva ekspozon problemet e komandës ruse
Sipas raportimeve të “Kyiv Independent”, situata në terren ka nxjerrë në pah edhe probleme në komunikimin mes strukturave ushtarake ruse dhe udhëheqjes politike.
Më 1 shtator, Vladimir Putin deklaroi se Rusia kishte marrë kontrollin e Sviatohirskut. Megjithatë, më pak se një javë më vonë, komandanti ukrainas Andriy Biletsky publikoi një video nga qyteti, duke pretenduar se forcat ukrainase kishin kontrollin e plotë të tij.
Korpusi i 3-të i Ushtrisë ukrainase pretendon se gjatë fazës së tretë të kundërofensivës “Vivaldi”, humbjet ruse kaluan 2 mijë persona dhe se më shumë se 250 ushtarë u kapën robër.
Këto shifra nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur. Megjithatë, edhe burime ruse kanë pranuar se një numër i konsiderueshëm ushtarësh janë kapur nga ukrainasit dhe kanë kërkuar që autoritetet ruse të japin shpjegime për situatën në front.
- Formula 1/ Verstappen rikthehet të dominojë, Antonelli shumë pranë titullit kampion bote, Russell tradhtohet nga makina - 04/10/2026
- “Na lanë pa ujë dhe ushqim”, rrëfehen ushtarët rus që braktisën frontin: U detyruam të pinim… - 04/10/2026
- “Të kalojmë në veprime të forta”, Korreshi: Duhet ngujim në Parlament apo grevë urie - 04/10/2026