Ergys Agasi ka reaguar përmes avokatit të tij, Maksim Haxhia, lidhur me të dhënat dhe pretendimet e bëra publike në kuadër të hetimeve të SPAK.
Haxhia ka përcjellë versionin e klientit të tij, duke kundërshtuar pretendimet që lidhen me takimet me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, si dhe me dokumentet që dyshohet se janë gjetur në automjetin e Agasit.
Në intervistën e dhënë për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, duke folur për qëndrimin e Agasit, Haxhia deklaroi: “Po e deklaroj çfarë kam biseduar me klientin dhe më ka thënë: asnjëra nga ato nuk qëndron. Kryetarja e shërbimit informativ nuk ka qenë asnjëherë në zyrën time. Nuk e kam takuar asnjëherë, në kuptimin që të kenë takime të vazhdueshme. Se çfarë ruajnë ata në kuptimin e funksionimit të atij institucioni është tjetër gjë, këtë nuk e di…, që është një lidhje, që është aset, a është në shërbim… këtë nuk di ta them. Vetëm di të them që ai sfidon. Më ka thënë që sfidoj këdo që të thotë: “Unë kam bashkëpunuar me sekretet shtetërore” dhe e dyta: “Që në makinën që kam pasur në shtëpi janë gjetur dokumente”.”
Sa i përket pretendimeve për dokumentet dhe materialet që dyshohet se janë gjetur në automjetin e Agasit, avokati ka kundërshtuar versionin e bërë publik dhe ka deklaruar se klienti i tij është i gatshëm të përballet me këto pretendime.
“Sfidon këdo për ato biseda që kanë nxjerrë në media ose në publik dhe thotë: “Po të ishin se në makinën time, që aty ka qenë, nuk ka lëvizur, se është vërtetuar që nuk është makina me të cilën është kryer rrëmbimi, të jenë gjetur materiale të shërbimit informativ”. Kanë vënë në gojën e Agasit që ai ka deklaruar që: “I kam pasur këto dokumente dhe i kam lënë në makinë”. Jo, nuk është e vërtetë, aty kam qenë në proces. Këtë kundërshton ai. Ai thotë, edhe prokurorinë dhe këdo tjetër që të ballafaqohet.”
Haxhia ka ngritur gjithashtu pikëpyetje lidhur me publikimin e disa komunikimeve telefonike, duke argumentuar se ato, sipas tij, nuk kanë interes për hetimin. Avokati ka kërkuar që çdo material që pretendohet se ekziston të përfshihet në dosjen e hetimit, në mënyrë që mbrojtja të mund ta kundërshtojë atë në rrugë ligjore.
“Ne kërkojmë që prokuroria të distancohet, ose nëse janë të vërteta, t’i fusin në dosje, jo po të bëhet kallëzim ndaj prokurorisë. Jo, t’i vërë në dosje dhe ta bëjmë luftën ballë për ballë, pra ta bëjmë dyluftimin juridik me provat që ke, por e them përsërit, nuk besoj që prokuroria t’i ketë nxjerrë, sepse si ka, nuk i ka. …Ne, në cilësinë e mbrojtjes, na e kanë bërë mbrojtjen gati të pamundur. Ky variant fillon vazhdimisht, duke i bërë gjërat në publik, mbarset publiku dhe ne atëherë duhet të sqarojmë publikun dhe pastaj të bëjmë mbrojtjen juridike. Për mua është bërë një strategji dhe taktikë që ta vërë para fajësisë zotin Agasi.”
Më herët, gjykata ka aprovuar tre masa të kërkuara nga SPAK për nxjerrje sekreti dhe përkrahje të autorit të krimit, mes tyre edhe për ish-kreun e SHISH, i cili mbahet në arrest shtëpiak.
Deklaratat e mësipërme përfaqësojnë qëndrimin e mbrojtjes së Ergys Agasit. Hetimet dhe pretendimet e SPAK vijojnë të jenë pjesë e procesit në zhvillim.
- Ish-gjenerali që u bë ambasador/ Eric Wendt nis “betejën” diplomatike amerikane, zbulohet cilin takon të parin të mërkurën - 29/09/2026
- Ergys Agasi mohon takimet me Vlora Hysenin, avokati Haxhia flet në emër të të akuzuarit nga SPAK: Sfidon këdo për ato biseda që kanë dalë… - 29/09/2026
- Spaho përplaset me Adriana Kalanë: Harrove sa ma ke sharë Berishën kur s’të bëri Avokate Populli? Do t’i nxjerr mesazhet? - 29/09/2026