TIRANË- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për situatën e zjarreve në disa zona të vendit, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë efektivët dhe strukturat që po përballen me flakët.
Përmes një reagimi në “Facebook”, Begaj vlerësoi punën e zjarrfikësve, efektivëve të Forcave të Armatosura dhe të gjithë personave të angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve.
Më tej, Begaj kërkoi gjithashtu ndëshkim të ashpër për personat që vendosin zjarre me qëllim, duke theksuar se autorët duhet të përballen me forcën e ligjit.
Në kushtet e temperaturave të larta dhe përhapjes së zjarreve në disa zona, Presidenti u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve.
“Në këto ditë me temperatura të larta, kur shumë zjarre kanë rënë në disa zona të vendit, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë ata që po luftojnë me flakët meritojnë mirënjohjen tonë.
Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ata po mbrojnë jetën, familjet, banesat dhe pasuritë tona. Respekt për çdo zjarrfikës dhe efektiv që po përballet me rrezikun në vijën e parë.
Keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen ashpër dhe sipas ligjit.
Përballë kësaj situate, secili prej nesh ka një detyrë: të jemi të kujdesshëm, të respektojmë udhëzimet e autoriteteve, të mos rrezikojmë jetën dhe të bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur komunitetin, pronën dhe natyrën.
Sot, Shqipëria ka nevojë për solidaritetin dhe përgjegjësinë e të gjithëve”, apelon Begaj.
- FOTO/ Eklipsi diellor u pa edhe në Shqipëri, pamje spektakolare nga Rana e Hedhun në Shëngjin - 12/08/2026
- Video/ PSG “Superkampione” e Europës, mposht Aston Villën në një finale spektakolare të transmetuar në Top Channel - 12/08/2026
- Pas më shumë se 80 vitesh, gjenden në Danub trupat e dy ushtarëve gjermanë dhe një motor i Luftës së Dytë Botërore - 12/08/2026