Transferimi i sulmuesit dardan, Vedat Muriqi, drejt klubit italian të Lazios për shifrën e majme prej 17.5 milionë eurosh, është kthyer në qendër të një investigimi nga emisioni i njohur italian “Report” në Rai3.
Ajo që bie në sy dhe merr vëmendjen kryesore në këtë dosje është “lidhja shqiptare”, një rrjet protagonistësh shqiptarë që dyshohet se kanë luajtur rolet kyçe në prapaskenat e kësaj blerjeje, e cila në nivel sportiv rezultoi një dështim.
Në qendër të hetimeve gazetareske dhe kritikave qëndron drejtori sportiv i Lazios, shqiptari Igli Tare. Edhe pse ndër vite ka qenë një nga figurat më të suksesshme të klubit italian, ky transferim ka ngritur dyshime të forta mbi një konflikt interesi. Sipas investigimit të televizionit italian, në marrëveshje ka qenë i përfshirë në prapaskenë edhe vëllai i tij, Genti Tare, i cili shërben si konsull i Shqipërisë në Stamboll, pikërisht qyteti ku luante Muriqi me fanellën e Fenerbahçes.
Por prania shqiptare në këtë transferim nuk mbaron me vëllezërit Tare. Hetimi i Rai3 ka zbuluar se në festën dhe negociatat e marrëveshjes, përveç agjentëve si vëllezërit Giuffrida dhe avokatit të lojtarit, u shfaq nga asgjëja si ndërmjetës edhe një tjetër shqiptar, Shkumbin Qormemeti. Ai përshkruhet nga mediat italiane si një agjent me shumë pak lojtarë nën menaxhim, por që është një mik i vjetër dhe i ngushtë i Igli Tares, duke luajtur rol në mbylljen e pazarit për Muriqin.
Kështu, ajo që fillimisht u prezantua si një lëvizje e rëndësishme në merkato për të forcuar sulmin, po merr gjithnjë e më shumë trajta e një skeme ku lidhjet e ngushta mes drejtorit shqiptar të Lazios, vëllait të tij me pushtet diplomatik në Turqi, dhe një ndërmjetësi po ashtu shqiptar, bënë të mundur lëvizjen e dhjetëra milionë eurove për një transferim shumë të dyshimtë.
- Pushime që ju përmirësojnë humorin, 5 qytetet më të lumtura për turistët, Lisbona kryeson renditjen - 21/10/2026
- “Pedagogët firmosin dhe ikin si skutha”/ Hervin Çuli: Intelektuali duhet të jetë kundër dhunës - 21/10/2026
- “Sistemi arsimor i kthyer në celula të partive”, Lami: Listat e pedagogëve? Mungojnë rektorët dhe dekanët… - 21/10/2026