Fundi i aventurës së Luka Modric te Milani duket tashmë i pashmangshëm.
Mesfushori kroat, një nga figurat më ikonike të futbollit europian, pritet t’i japë lamtumirën kuqezinjve pas një sezoni dramatik që përfundoi me zhgënjim të madh për klubin italian.
Pamja e fundit e Modric me fanellën kuqezi ishte ajo e një kampioni të rraskapitur dhe të zhgënjyer. Me fytyrën e mbuluar nga një maskë mbrojtëse pas dëmtimit në mollëz të pësuar ndaj Juventusit, kroati u pa i heshtur dhe i tronditur pas humbjes ndaj Cagliarit në javën e fundit të sezonit, një rezultat që i kushtoi Milanit vendin në Ligën e Kampionëve dhe e zbriti ekipin në Europa League.
Rënia dramatike në fund të kampionatit solli pasoja të menjëhershme në klub, me revolucion të plotë në drejtim dhe largime të rëndësishme në strukturat menaxheriale. Në këtë atmosferë të tensionuar, edhe e ardhmja e Modric mori një kthesë të papritur.
Deri pak javë më parë, rinovimi i kontratës së tij dukej pothuajse i sigurt. Pavarësisht moshës 40-vjeçare, Modric zhvilloi një sezon shumë pozitiv me 35 paraqitje, dy gola dhe tre asistime, duke mbetur një nga liderët kryesorë të skuadrës.
Burime pranë lojtarit tregojnë se Modric është ndjerë thellësisht i zhgënjyer nga situata dhe tashmë e konsideron të mbyllur eksperiencën e tij në “San Siro”. Eventi i fundit publik në Milano, ku tifozët e përshëndetën me shumë dashuri dhe emocione, mori atmosferën e një lamtumire të heshtur për legjendën kroate.
Tashmë fokusin e tij e merr Kupa e Botës me Kroacinë, turne që mund të jetë edhe i fundit në karrierën e tij si futbollist profesionist. Edhe pse oferta të mëdha financiare kanë ardhur nga Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara, Modric duket i vendosur të mbyllë karrierën pas Botërorit.
E ardhmja e tij, megjithatë, pritet të mbetet e lidhur me Real Madridin. Sipas mediave spanjolle, presidenti Florentino Perez i ka garantuar një rol të rëndësishëm në klub pas pensionimit, qoftë në drejtimin sportiv apo në stafin teknik të “Los Blancos”.
Ndërsa Milani përpiqet të rindërtojë klubin pas sezonit të dështuar, Luka Modric duket gati të rikthehet në Madrid, jo më si lojtar, por si pjesë e historisë së përhershme të klubit që e shndërroi në legjendë.