20.5 C
Tirana
14 / 05 / 2026

FIFA paralajmëron super-show: Shakira, Madonna dhe BTS do ndezin finalen e Botërorit 2026

FIFA ka konfirmuar se superylli kolumbian Shakira, ikona e muzikës pop Madonna dhe grupi korean BTS do të jenë artistët kryesorë të shfaqjes historike të gjysmës së finales së Kupës së Botës FIFA 2026. Njoftimi u bë përmes faqes zyrtare të FIFA në Instagram, duke konfirmuar një spektakël që pritet të thyejë rekorde shikueshmërie në mbarë botën.

Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, FIFA do të organizojë një shfaqje të madhe muzikore gjatë pushimit të finales, duke sjellë në një skenë disa nga emrat më të mëdhenj të industrisë muzikore globale.

Finalja e madhe e turneut do të zhvillohet më 19 korrik 2026 në MetLife Stadium, stadium që pritet të mbushet me mijëra tifozë dhe të ndiqet nga miliona shikues në televizione dhe platforma digjitale.

Kupa e Botës FIFA 2026 do të nisë më 11 qershor në Mexico City dhe do të organizohet për herë të parë në tre shtete njëkohësisht: SHBA, Kanada dhe Meksikë. Ndeshjet do të zhvillohen në disa qytete të mëdha të Amerikës së Veriut, duke e bërë këtë edicion një nga më të mëdhenjtë në historinë e kompeticionit.

Sipas FIFA-s, programi artistik i finales është kuruar nga lideri i grupit Coldplay, Chris Martin, ndërsa produksioni do të realizohet në bashkëpunim me organizatën jofitimprurëse Global Citizen. Eventi do të ketë gjithashtu një mision bamirësie, pasi do të mbështesë fondin “FIFA Global Citizen Education Fund”.

“Nga çdo biletë e shitur për ndeshjet e Kupës së Botës FIFA 2026, 1 dollar do të dhurohet për fondin. Qëllimi është të mblidhen 100 milionë dollarë për të zgjeruar aksesin në arsim cilësor dhe futboll për fëmijët në mbarë botën”, thuhet në deklaratën zyrtare të FIFA-s.

Ndërkohë, FIFA ka zbuluar edhe detaje për ceremoninë hapëse të turneut në Mexico City. Superylli i reggaeton-it J Balvin do të jetë artisti kryesor i mbrëmjes, ndërsa në skenë do të ngjiten edhe emra të njohur të muzikës latine dhe ndërkombëtare si Alejandro Fernández, Belinda, Danny Ocean, Lila Downs, Los Ángeles Azules, Maná dhe Tyla.

Me kombinimin e futbollit dhe muzikës globale, FIFA synon që Kupa e Botës 2026 të shndërrohet në një nga ngjarjet më spektakolare sportive dhe kulturore të dekadës.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x