Prania e Iranit në Kupën e Botës po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Federata Iraniane e Futbollit nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe ka deklaruar se ekipi kombëtar do të marrë pjesë në Botëror vetëm nëse kushtet e vendosura nga Irani pranohen nga vendet pritëse, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika.
Teherani, sipas një deklarate të transmetuar në televizionin zyrtar, nuk do të heqë dorë nga idealet, kultura dhe besimet e tij.
Irani ka vendosur dhjetë kushte për pjesëmarrje në Kupën e Botës, duke përfshirë lëshimin e vizave për të gjithë lojtarët dhe stafin e trajnerëve, veçanërisht ata të cilët ishin anëtarë ose shërbyen në Gardën Revolucionare, si Mehdi Taremi; protokollet më të larta të sigurisë në aeroporte, hotele dhe përgjatë rrugëve që të çojnë në stadiume; kërkesën që tifozët të shfaqin vetëm flamurin zyrtar iranian, duke ndaluar çdo flamur tjetër; luajtjen e himnit kombëtar iranian gjatë ndeshjeve; dhe kufizimin e pyetjeve të gazetarëve vetëm në çështje teknike.
Mbetet për t’u parë se si do të reagojnë Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
Kanadaja, në veçanti, kohët e fundit i ndaloi presidentit të Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, hyrjen në vend për shkak të lidhjeve të tij me Gardën Revolucionare, duke shkaktuar një incident diplomatik. Kërkesat padyshim do të diskutohen në takimin që Irani dhe FIFA do të mbajnë më 20 maj në Zyrih.