Pasditen e 5 majit, në Ditën e Dëshmorëve, ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare “Profesori” i Partisë Socialiste të Shqipërisë, filozofi, politikani, sociologu dhe akademiku Servet Pëllumbi.
Analisti Martin Leka tha se Servet Pëllumbi kishte nivelin më të lartë të kulturës politike dhe ishte ndër figurat më të lexuara në politikën shqiptare. Ai u shpreh se “po na ikin pëllumbat dhe po na shtohen sorrat”, duke e cilësuar këtë si një paradoks të realitetit politik në vend.
“Kishte nivelin më të lartë të kulturës politike, ishte më shumë se i lexuar në atë llum politik. Për paradoks dhe trajtesë të figurshme, ne po na ikin ‘pëllumbat dhe po na shtohen sorrat’ dhe nuk po kuptohet se ku po jetojmë.
Në partinë që ka themeluar Pëllumbi nuk dihet historia politike e vetë partisë. Jo vetëm të rinjtë, por edhe më të vjetrit në PS duhet të studiojnë historinë e vërtetë të politikës, sepse nga ajo mëson.”
Analisti Skënder Minxhozi tha se në dekadën e parë të pluralizmit shqiptar, pavarësisht problemeve, klasa politike kishte një nivel më të lartë serioziteti krahasuar me sot. Ai vlerësoi figurën e Servet Pëllumbi si një nga më të kulturuarat politikisht, duke theksuar kontributin e tij në politikë pa u përfshirë në skandale. Minxhozi shtoi se sot partitë politike shpesh kanë humbur orientimin ideologjik dhe janë kthyer në projekte pushteti.
“Kemi pasur një paradoks, në dekadën më të keqe të pluralizmit kemi pasur klasë politike më të mirë, natyrisht me përjashtime si Berisha. Parlamentet e para të pluralizmit kanë qenë me njerëz që kanë qenë goxha seriozë nga viti ’92. Servet Pëllumbi pati kulturë politike më të lartë, i qëndroi politikës duke dhënë kontribut jo për t’u bërë pis.
Ikja e tij është mbyllja e një epoke ku libri, ligji, institucionet kanë më pak vlerë. Kemi qeverisje të majta që bëjnë politika të djathta dhe e anasjellta, sepse ka humbur orientimi dhe nga projekte politike dhe ideologjike kthehen në projekte pushteti.” /abcnews.al /
- Leka: Servet Pëllumbi kishte nivelin më të lartë të kulturës politike/ Minxhozi: Ikja e tij, ‘mbyllja e një epoke’ - 08/05/2026
- Pas “Waka Waka”, Shakira gati të ndezë sërish Botërorin me një super hit - 08/05/2026
- Premier League “pushton” Europën, Aston Villa dhe Unai Emery shkruajnë historinë, pas 44 vitesh - 08/05/2026