Nga Zef Preçi
Askujt nuk do t’ia uroja të ishte në bankën e të akuzuarve, aq më tepër një apo disa mjekë që kanë përsëritur betimin e Hipokratit, të shkruar rreth 2500 vjet më parë – një premtim i recituar historikisht nga mjekët, të cilët gjatë leximit bien dakord të respektojnë një kod të caktuar të etikës mjekësore.
Akuzat e Prokurorisë, të pasqyruara në njoftimin mediatik, flasin për mjekë që, në rastin më të lehtë, kanë shkelur këtë kod etike, dhe në rastin më të rëndë, mund të kenë kryer korrupsion (nëse provohet përfitimi financiar nga veprimet e tyre). Ndërkohë, për drejtuesit e spitalit publik, kuadri ligjor – në varësi të rrethanave konkrete – parashikon hetime për vepra penale të rënda, si shpërdorimi i detyrës nga personi zyrtar. Kjo ndodh kur drejtuesi, në kundërshtim me ligjin, nuk vendos në funksion një pajisje jetësëpëtuese për disa vite, duke dëmtuar seriozisht interesat e pacientëve dhe të shërbimit shëndetësor publik (dëm material, dëm ndaj shëndetit, cenim i të drejtës për kujdes shëndetësor).
Një vepër tjetër e mundshme penale është mosdhënia e ndihmës mjekësore, si vepër kundër shëndetit të njerëzve – nëse vërtetohet se, për shkak të mosshfrytëzimit të pajisjes, pacientëve nuk u është dhënë ndihma e domosdoshme dhe kjo ka sjellë pasoja (si p.sh. dëmtime të rënda apo edhe humbje jete). Në raste të tilla, mund të shqyrtohen edhe vepra të tjera si vrasja nga pakujdesia apo dëmtimi i shëndetit nga pakujdesia, në varësi të faktit nëse drejtuesi ka pasur një pozitë garantuese dhe mundësi reale për të parandaluar pasojën.
Si në çdo hetim tjetër, elementi kyç mbetet lidhja shkak–pasojë: nuk mjafton që pajisja të ketë qëndruar “në kuti”; duhet të provohet se mosvendosja e saj në funksion ka cenuar objektivisht të drejtën për kujdes shëndetësor dhe/ose ka prodhuar pasoja konkrete për pacientët.
Niveli i pagesave nga xhepi në Shqipëri gjatë periudhës 2015–2025 ka qenë shumë i lartë dhe ndër më të lartët në Evropë, rreth ose mbi 50% të shpenzimeve totale të shëndetësisë përgjatë pothuajse gjithë periudhës (matjet bëhen çdo dy vjet), duke arritur kulmin në vitet 2021–2022 në rreth 59–60%. Natyrisht, në këtë shumë përfshihen edhe kontributet e detyruara nga drejtues dhe segmente të caktuara të stafit mjekësor të QSUT-së ndaj pacientëve, viktima financiare – dhe ndoshta jo vetëm financiare – të aferës që po hetohet nga Prokuroria e Tiranës, bazuar edhe në denoncimet e vazhdueshme të gazetarit dhe aktivistit të njohur të shoqërisë civile, Osman Stafa, të cilin gjej rastin ta përgëzoj.
Gjatë së njëjtës dekadë, niveli i shpenzimeve buxhetore për shëndetësinë ka qenë rreth 3% e PBB-së (2.8–3.5%), dukshëm nën objektivin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë, ndërsa zbatimi financiar i saj rezulton i pjesshëm dhe nën parashikimet. Thënë ndryshe, në vitin 2025 në shëndetësi janë alokuar rreth 80 miliardë lekë nga buxheti i shtetit; nëse supozojmë një ndarje të barabartë mes sektorit publik dhe privat, atëherë të paktën edhe rreth 800 milionë euro të tjera janë nxjerrë nga xhepat e familjeve shqiptare për të financuar shëndetin dhe jetën e tyre – një barrë e rëndë që cenon ndjeshëm nivelin e jetesës.
Shpresohet që zbardhja e këtij rasti të kontribuojë në frenimin e rasteve të ngjashme që ndodhin përditë, por edhe të sjellë më shumë përgjegjshmëri në komunikimin publik të Ministrisë së Shëndetësisë. Në vend të deklaratave formale apo propagandistike, kërkohet angazhim real për rritjen e efektivitetit të fondeve publike dhe për uljen e barrës financiare mbi qytetarët, duke shmangur konfliktet e mundshme të interesit me sektorin privat.
Në thelb, gjykimi ndaj ish-zëvendësdrejtoreshës së QSUT-së lidhet me përgjegjësinë e saj si zyrtare në detyrë, nëse ka pasur rol vendimmarrës mbi vendosjen në funksion të pajisjes, si dhe me detyrimet që rrjedhin nga ligji “Për pajisjet mjekësore” (përdorimi i sigurt, ndalimi i mosshfrytëzimit që dëmton shëndetin, etj.). Bëhet fjalë për një pajisje objektivisht jetësëpëtuese dhe thelbësore për standardin e kujdesit shëndetësor në atë institucion.
Do të ishte e nevojshme që media dhe gazetaria investigative të thellojnë analizën edhe mbi rolin e Ministrisë së Shëndetësisë para, gjatë dhe pas nisjes së hetimeve, për të kuptuar nëse janë përmbushur detyrimet institucionale lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore, udhëzimeve specifike apo vendimeve që detyrojnë vendosjen në funksion të pajisjes brenda një afati të caktuar; si janë administruar raportimet, ankesat dhe inspektimet; si dhe cilat janë pasojat konkrete për pacientët (statistika, ekspertiza mjekoligjore, etj.).
Ky rast duhet të shërbejë gjithashtu si një mësim për çdo nëpunës apo individ të lidhur me politika patronazhiste dhe interesa biznesi, që pa ekspertizën e duhur marrin pozicione drejtuese në një sektor kaq delikat si shëndetësia, duke kontribuar në gjendjen problematike ku ndodhet QSUT dhe sistemi shëndetësor në tërësi prej më shumë se një dekade.
- “Siguri energjetike”, Rama njofton nga Berlini marrëveshjen me SHBA për gazin e lëngshëm - 03/05/2026
- Sot Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, Raporti i UNESCO-s: Liria e shprehjes në të gjithë botën ka rënë me 10% që nga viti 2012 - 03/05/2026
- Administrimi i paligjshëm i provave digjitale - 03/05/2026