Pas videos që ka kapur momentin e saktë të përplasjes së avionit të Air India, i cili më 12 qershor u rrëzua rreth 30 sekonda pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad-it duke shkaktuar vdekjen e 290 personave, qëndron një adoleshent 17-vjeçar me pasion për avionët: Aryan Asari. I ati ka rrëfyer në media historinë e tij.
Sipas babait të Aryan-it, djali ka një pasion të madh për avionët, nga zhurma e motorëve deri te gjurmët që lënë në qiell. Ditën e ngjarjes, Aryan-i ndodhej për herë të parë në Ahmedabad, në shtëpinë e të atit, pasi jeton me nënën dhe vëllezërit në një fshat në kufirin mes Gujarat dhe Rajasthan.
I ati i kishte treguar shpesh se nga ballkoni i shtëpisë së tij mund të shihte qindra avionë duke u ngritur çdo ditë. Kështu, nuk është çudi që Aryan-i doli menjëherë në ballkon sapo dëgjoi zhurmën e motorëve të Boeing-ut.
“E pashë avionin. Po dridhej, po zbriste gjithnjë e më shumë. Pastaj lëvizi çuditshëm dhe u përplas para syve të mi”, tregoi Aryan për BBC.
17-vjeçari, ende i tronditur nga ajo që ka përjetuar, pa dashje ka kapur në video një moment kyç të aksidentit, që është përdorur tashmë nga hetuesit për të rindërtuar dinamikën e përplasjes dhe për të identifikuar shkakun.
Pamjet janë bërë virale në rrjetet sociale dhe janë analizuar nga shumë pilotë e ekspertë të aviacionit, çka ka sjellë edhe një vëmendje të madhe mediatike ndaj vetë Aryan-it.
“Gazetarët kanë qëndruar ditë e natë përreth shtëpisë sonë duke kërkuar të flasin me të. Ai është kaq i traumatizuar dhe i frikësuar nga ajo që ka parë, sa nuk përdor më as telefonin”, tha i ati.
- Khamenei: Irani nuk dorëzohet kurrë! Pasoja të rënda për SHBA nëse ndërhyn - 18/06/2025
- Tragjedia e Tempit me 53 viktima: Akuzohen 14 figura politike, mes tyre dhe kryeministri grek - 18/06/2025
- 17-vjeçari filmoi momentin e përplasjes të avionit në Indi, flet babai i tij: Është i traumatizuar… - 18/06/2025